
Të parët që lanë sallën e Pallatit të Kongreseve ishin Pandeli Majko dhe Taulant Balla, pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së. Ish-ministri për Diasporën nuk është më deputet dhe mbeti pa një post ministror. Po kështu, as emri i Ballës nuk u përmend në poste ministrore për qeverinë Rama 3. Nga të larguarit e tjerë të mandatit të dytë qeverisës u prononcua vetëm Etilda Gjonaj, ish-ministrja e Drejtësisë. Për A2 CNN, ajo tha se ishte e privilegjuar që shërbeu në dikasterin e Drejtësisë ku u shpreh se ka bërë maksimumin me rezultate të dukshme në këtë institucion.
“Jam e privilegjuar që kam qenë anëtare e kabinetit qeveritar në një mandat të plotë dhe një dikasteri që ka pasur sfida të jashtëzakonshme dhe besoj që në një mandat të plotë. Është kohë e mjaftueshme për të dhënë maksimumin dhe besoj që kam bërë maksimumin me rezultatet që sot janë të dukshme”.
Për ministren e Shëndetësisë e cila u rikonfirmua në detyrë, është një besim për të përmbushur angazhimet, teksa përsëriti fjalët e kryeministrit për të tejkaluar vetveten.
“Është një besim që vjen për të garantuar të gjithë angazhimet që kemi marrë, është përgjegjësi akoma më e madhe. Duhet të ringrihemi mbi veten për të tejkaluar veten tonë në ato punë që kemi bërë dhe është një përgjegjësi shumë e madhe që duhet çuar para me të gjithë ekipin qeverisës”.
Ministri prej 8 muajsh i mbrojtjes, edhe ky i rikonfirmuar në detyrë, thotë se priste emra të rinj dhe nuk do të kishte hatërmbetje.
“Kam prej 8 muajsh që shërbej në postin e ministrit të Mbrojtjes. Ne nuk jemi të pazevëndësueshëm, nuk më gënjen mendja që ka njeri tjetër që ta bëjë më mirë se unë. Prisja dhe emra të rinj s’do kisha hatërmbetje. Ne kemi borxhe për të kthyer, shqiptarët nuk kanë votuar që Peleshi të bëhet kryeministër dhe jam i vetëdijshëm”.
Propozimin për kryetare të Kuvendit, Lindita Nikolla e shikon si një përgjegjësi për të mundësuar më të mirën në detyrën e kryeparlamentares, duke i dhënë hapësirat e nevojshme opozitës brenda kuadrit etik dhe rregullores.
“I qasem me përgjegjësi për të mundësuar më të mirën e mundshme në detyrën e kryeparlamentares, duke i krijuar hapësirë opozitës për të shfaqur idetë e mendimet e saj dhe duke respektuar, që ai tempull i demokracisë meriton që nga etika e rregullorja. Deri sa shkojmë për të respektuar procedurat e tjera deri në zgjedhjet në detyrë është fakti që jam e mbushur plot me mendje e zemër me përgjegjësi të shtuar për të përmbushur të gjitha pritshmëritë që Rama pati në këtë përzgjedhje”. (A2 Televizion)