Qyteti i rrethuar me mina, ushtria meksikane merr vendlindjen e bosit “10 milionë dollarësh” të drogës

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2022, 17:31 | Bota

Ushtria meksikane mori nën kontroll vendlindjen e një prej bosëve më të fuqishëm të drogës në shtetin Miçoakan (Michoacán) në perëndim të vendit. Nemesio Oseguera Cervantes - i njohur si “El Mencho” - është lindur në qytezën Naranjo de Chila, Aguililla, dhe është person në këkim në SHBA dhe Meksikë.

Për të zmbrapsur futjen e forcave të sigurisë, anëtarët e kartelit që ai drejton “Jalisco Nueva Generacion”, kishin vendosur mina të fshehta. Pjesëtarë të skuadrave anti-minë patrulluan hyrjet për në qytet dhe rrugët brenda tij.

“El Mencho” kërkohet prej vitesh nga autoritetet meksikane, pasi besohet se është urdhëruesi i një sulmi ndaj forcave të sigurisë meksikane në vitin 2015, ku humbën jetën 15 efektivë. Gjithashtu ai akuzohet për përpjekjen për të vrarë shefin e policisë së Meksiko Sitit në vitin 2020.

https://a2news.com/2021/02/21/eshte-me-i-frikshem-se-el-chapo-legjenda-e-dea-s-bosi-i-kartelit-mund-te-mos-arrestohet-kurre/

Karteli që “El Mencho” drejton është përhapur nga qyteti Halisko (Jalisco) dhe tashmë dominon thuajse në të gjithë vendin. Në Aguililla, karteli i tij lufton për territor edhe me rivalët e Los Viagras. Porti i qytetit është një prej rrugëve më të mira për trafikun e narkotikëve dhe një pasuri e vyer për grupet kriminale.

Nemesio është një prej bosëve më të fuqishëm të momentit në botën e nëndheshme meksikane dhe disa ekspertë të sigurisë në SHBA vlerësojnë se është më brutal dhe i pamëshirshëm sesa El Chapo. Ai është krimineli më i kërkuar nga DEA, e cila ofron 10 milionë dollarë shpërblim për këdo që ndihmon në kapjen e tij.

Në nëntor të vitit të kaluar forcat meksikane të sigurisë arrestuan gruan e El Mencho-s, Rosalinda González, e cila akuzohet se është financierja e kartelit famëkeq. Gonzales dhe El Mencho kanë tre fëmijë, mes tyre edhe Rubén Oseguera González, i njohur si Menchito, i cili në vitin 2020 u ekstradua në SHBA ku përballet me akuzat e trafikut të drogës.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos