Qyteti më i ftohtë në Finlandë “shpall” kandidaturën për Lojërat Olimpike verore

Nga A2 CNN
29 Janar 2021, 17:14 | Sporte të tjera

Salla, qyteti i vetëshpallur më i ftohti në Finlandë, “shpalli” kandidaturën për të organizuar Lojërat Olimpike verore të vitit 2032. E gjithë nisma është, në fakt, një përpjekje për të sensibilizuar botën për ngrohjen globale.

Në një spot tepër origjinal, qyteti i vogël në Rrethin Arktik, ku temperaturat shpesh bien deri në -50 gradë celsius, tregon sesi me shkrirjen e akujve, aty mund të organizohen Lojërat Olimpike. “Vera po bëhet edhe më e nxehtë te ne, ndërsa dimri po shkurtohet gjithnjë e më shumë. Duhet ta mbajmë qytetin të akullt, të ftohtë dhe me borë”, thotë kryebashkiaku Erkki Parkkinen, teksa shpjegon idenë e spotit.

Edhe pse me doza të forta humori, ai thotë se gjërat janë mjaft serioze dhe Olimpiada verore 2032 mund të organizohet në Salla, nëse temperaturat vijojnë të rriten vazhdimisht.

Shqyrtimi për Olimpiadën 2032 do të nisë para vitit 2025. Për këtë organizim kanë shprehur interes disa qytete, si Doha, Mumbai dhe rajoni i Rinit në Gjermani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos