
Ministria e Jashtme ka reaguar sërish për radhët kilometrike në Kakavijë, për shkak të fluksit të qytetarëve që duan të kthehen nga Shqipëria në Greqi. Shteti fqinj ka vendosur vetëizolim të detyruar 7-ditor për ata që kthehen nga Shqipëria prej 17 gushtit, çka ka shtuar numrin e personave që duan të kthehen para kësaj date.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë. Testimi vazhdon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarët që kërkojnë të kalojnë nga Shqipëria në Greqi. Ndërkohë, nga autoritetet greke na është premtuar shtimi i mëtejshëm i kapaciteteve testuese në orët në vijim. Po ashtu, jemi në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjenosanitare”, thotë Ministria e Jashtme.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se drejt Kakavijës është nisur edhe një grup efektivësh të Batalionit të Mbështejes Rajonale të Forcave të Armatosura, ndërsa është dërguar edhe një autobot me 10 mijë litra ujë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që qendrojnë me orë të tëra në rrugë. (A2 Televizion)