
Për radhët kilometrike prej ditësh në Kakavijë ka reaguar edhe kryeministri Rama, njëherazi ministri i Jashtëm.
Përmes një postimi në Instagram, shefi i qeverisë kërkon të qetësojë qytetarët që po presin në radhë në temperaturat e larta të këtij gushti, se kjo procedurë nuk është vetëm për ta, por për çdo qytetar që hyn në shtetin grek.
"Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim.
Nga ana tjetër kjo çmenduri, në radhë për të kaluar kufirin nuk ndodh vetëm në Kakavi sot, dje për shembull, pika e kalimit në portin e Doverit në Britani ishte në kolaps të plotë dhe në radhë rrinin britanikët për t'u kthyer në shtëpi nga Franca, që t'i shpëtonin rregullit të sapovendosur të karantinës së detyrueshme. Plot gjysëm milioni turistë britanikë në një rendje marramendëse drejt shtëpisë", shkruan Rama.
Postimin, Rama e shoqëron me foto ku duken Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Permetit që kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjienën sanitare në terren. (A2 Televizion)