Pas tragjedisë së rëndë në diskotekën në Koçan, një pjesë e familjeve përmes rrjeteve sociale tentojnë të marrin informacione për të afërmit e tyre. Në rrjetet sociale janë publikuar fotografi me numrat e telefonit të familjarëve për të dhënë informacione.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari tha se 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipi dhe Shkupit. Të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion.
Të gjithë pacientët janë shtruar në spitale dhe marrin trajtimin e duhur. Taravari nuk pranoi të japë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Ai tha se për këtë do të njoftojë pasi t’i vizitojë të gjitha spitalet në Shkup dhe Koçan e Shtip dhe bisedojë me mjekët që i trajtojnë.
Mediat vendase raportojnë se presidentja e shtetit Gordana Siljanovksa Davkova para pak minutash vizitoi të lënduarit në Klinikën për sëmundje kirurgjikale Shen Naumi i Ohrit, shkruan Alsat.
Ajo shprehu keqardhje të thellë për tragjedinë ku humbën jetën shumë të rinj dhe iu uroi shërim të shpejtë të të lënduarve. Ajo tha se ndihmë kanë ofruar autoritetet shëndetësore nga Serbia dhe Bullgaria.
Kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur i tmerruar nga tragjedia në Koçan. Ai tha se kjo është ditë e rëndë për Maqedoninë. Humbja është shumë e madhe, dhembja e familjes nuk mund të përshkruhet.
“Në këto momente të pikëllimit të thellë, jemi me ata që humbën të dashurit e tyre. Populli dhe Qeveria do të bëjnë gjithçka për të zbutur dhembjen dhe për të ndihmuar në këto momente të vështira. I bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente, shërbimeve shëndetësore, autoriteteve lokale të ndërmarrin të gjitha masat për të ndihmuar të lënduarit dhe për të dhënë mbështetjen e duhur familjeve të prekura”, thekson Mickoski. Ai paralajmëroi se gjatë ditës do t’i drejtohet opinionit me më shumë informacione për hapat e ndërmarrë.
(A2 Televizion)