Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç reagoi pas ngjarjes së paprecedentë në Kuvendin e Serbisë, ku disa deputetë u plagosën nga sulmet e opozitës me gaz lotsjellës dhe sende të forta. Ai e cilësoi incidentin si një ditë të vështirë për Serbinë dhe për çdo qytetar të vendit.
Në një deklaratë të dhënë për mediat, Vuçiç theksoi se ajo që ndodhi ishte një akt bullizmi dhe sjellje huligane, që nuk ishte parë që nga krijimi i sistemit shumëpartiak në Serbi, 35 vjet më parë. Ai kërkoi që autorët e dhunës të mbajnë përgjegjësi penale dhe ligjore dhe të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
"Sot është një ditë e vështirë për Serbinë, për çdo qytetar të vendit. Jemi dëshmitarë të diçkaje që nuk e kemi parë që nga themelimi i sistemit partiak. Kjo nuk ka ndodhur që nga krijimi i sistemit shumëpartiak," tha Vuçiç.
Presidenti i Serbisë kërkoi gjithashtu që prokuroria të veprojë me shpejtësi dhe të shqyrtojë rastin, duke siguruar që të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën të japin llogari para ligjit.
Ky incident ka shkaktuar shqetësim të madh në politikën serbe dhe ka nxitur një debat të fortë për përdorimin e dhunës si mjet politik.
(A2 Televizion)