Dikur Podgorica, sot Beogradi, Serbia "porta" e Rusisë drejt Ballkanit

Nga Xhevahir Qardaku
28 Tetor 2025, 22:16 | Ballkani

Rusia nuk ka humbur kohë duke shfaqur edhe një herë ambiciet e saj në Ballkan. Vendi tek i cili Rusia mban lidhje të forta është Serbia. Përveç lidhjeve historike dhe politike Rusia tashmë kërkon edhe ndikim më të thelluar në fushën kulturore.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharçenko, tha me rastin e asamblesë themeluese të Shoqërisë Historike Ruse në Beograd se ky është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe gjithashtu ka një rëndësi më të gjerë duke pasur parasysh se qëllimi i përbashkët është kundërshtimi i rishikimit të historisë.

"Shoqëria Historike Ruse, dhe në thelb, mund të them, Shoqëria Historike Ruso-Serbe, nga vetë natyra e saj do të jetë një pengesë për përpjekje të tilla për të rishikuar historinë.  Historia është shtylla, themeli i respektit për historinë, historinë tonë të përbashkët. Një marrëdhënie kujdesi është shtylla e forcimit të sovranitetit dhe pavarësisë së popujve dhe shteteve tona. Shoqëria Historike do të japë një kontribut shumë të madh në këtë kuptim", theksoi Botsan-Kharchenko për mediat ruse.

Në fjalën e tij, ambasadori rus njoftoi më shumë aktivitete në fushat e shkencës, kulturës, komunikimeve sociale dhe aktivitete që lidhen me historinë dhe aspektet tona të përbashkëta të historisë në epoka të ndryshme. 

Ndikimi i dikurshëm rus në Malin e Zi duket se është zbehur duke ia lënë këtë përparësi shtetit të Serbisë. Prej kohësh diplomacia ruse dhe ajo serbe kanë një qëndrim të njëjtë për botën shqiptare dhe veçanërisht për shtetin e Kosovës dhe të ardhmes së saj euro-atlantike. Rusia shpesh herë është akuzuar nga perëndimi se më anë të krijimit të organizatave kulturore dhe humanitare kërkon të shtrijë influencën e saj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos