Ministria e Brendshme në Maqedonisë së Veriut konfirmoi arratisjen nga arresti shtëpiak të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte ndaluar nga autoritetet maqedonase në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.
Autoritetet nuk dhanë detaje mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës.
Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzojs tek autoritetet serbe Ramadani, i cili do të vazhdonte të qëndronte në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.
Blerim Ramadani u arrestua në fund të korrikut në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pas disa ditësh qëndrimi në paraburgim ai u la më 1 gusht në arrest shtëpie tek miq të tij në Shkup, derisa autoritetet gjyqësore të merrnin një vendim përfundimtar se a do ta ekstradonin atë në Serbi ose jo.
Autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kishin kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ishte pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)