Sot konstituohet përbërja e re e parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Në seancën e sotme ka vetëm 4 pika në rendin e ditës: përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.
Në drejtim e këtij institucioni të rëndësishëm do të jetë një shqiptar, siç është bërë traditë tashmë. Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje mes koalicionit VLEN dhe VMRO-DPMNE, Afrim Gashi do të jetë kryetar i ri i Kuvendit. Pjesëtarë të formacionit politik VLEN i bëjnë thirrje BDI-së dhe frontit europian që ta mbështesin kandidaturën e zotit Gashi, pasi kryeparlamentari shqiptar tashmë është bërë një traditë në Maqedoni të Veriut. Kryetari i VMRO-DPMNE, Kristjan Mickoski, që pritet të jetë kryeministri i ri i qeverisë së Shkupit, tha se pret mbështetje për Gashin nga e gjithë partnerët e tij.
Sipas detajeve të bëra publike, shqiptarët nga VLEN do të udhëheqin 6 ministri në kabinetin e ri. (A2 Televizion)