Një numër i madh qytetarësh, mbështetës të Presidentit Aleksandër Vuçiç pasditen e sotme po marrin pjesë në marshime paqësore në të gjithë Serbinë, nën moton "Qytetarët kundër bllokadave".
Në më shumë se 200 qytete, sipas organizatorëve po dërgohet një mesazh kundër dhunës dhe përçarjes së bllokadave, duke iu referuar këtu tubimeve të studentëve që vijojnë prej tragjedisë me 16 viktima në stacionin e trenit në Novi Sad.
Qytetarët e mbledhur pretendohet se do t’i thonë edhe një herë qartë "jo" dhunës së bllokadave dhe përçarjeve që ajo sjell Vlerësohet se më shumë se 200,000 njerëz në të gjithë Serinë do të marrin pjesë në këto marshime.
Në Kragujevac dhe Novi Sad, një numër i madh qytetarësh po mblidhen kundër bllokadave. Sakaq, një marshim-protestë po mbahet në Beograd drejt ndërtesës së RTS-së në rrugën Takovska, me qëllim që t'i bëhet një kërkesë e përbashkët shërbimit publik që të raportojë me vërtetësi, gjithëpërfshirërje dhe përgjegjësi mbi ngjarjet që shqetësojnë të gjithë qytetarët. (A2 Televizion)