Presidenti francez Emmanuel Macron mbërrin sot pasdite në Serbi, në një vizitë të shumëdiskutuar që pritet të dominohet nga çështja e blerjes së mundshme të avionëve luftarakë Rafale nga ana e Beogradit.
Kreu i Elizesë, i cili i kthen vizitën Vuçiçit 5 muaj pas takimit të tyre në Paris, tha se shkon atje me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë nevojë për një Serbi të fortë dhe demokratike nën krahun e tyre.
Në një editorial për gazetën “Politica” shkruan: “Ashtu si Franca, jam i bindur, Serbia aspiron pavarësinë dhe sovranitetin që mund t’i japë vetëm BE-ja, e cila ka mjetet e autonomisë së saj strategjike. Ne do ta ndërtojmë këtë autonomi strategjike së bashku duke i siguruar vetes mjetet për të garantuar sigurinë tonë dhe duke forcuar bashkëpunimin tonë në mbrojtje”.
Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi para takimit se jo gjithçka ka përfunduar kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ushtarako-teknik dhe blerjen e avionëve Rafale. Sipas tij, janë ende duke u zhvilluar bisedime intensive, jo për çmimin e tyre, por për garanci të caktuara: “Do të ishte një gjë e madhe për ne, pasi do të nënkuptonte përparim në gatishmërinë luftarake, fuqinë dhe sigurinë e vendit tonë. Nuk jemi duke shkaktuar probleme diku dhe as nuk kemi ndërmend ta bëjmë. Por, nuk po pajtohemi dot sa i përket çështjes së garancive”.
Sipas agjendës, takimi mes dy liderëve do të zhvillohet në orën 18:45 dhe një orë më vonë është planifikuar konferenca e përbashkët për shtyp. Pjesë e diskutimeve pritet të jenë gjithashtu energjia, inteligjenca artificiale, ekonomia, integrimi europain i Serbisë dhe Kosova. (A2 Televizion)