Mijëra dronë kamikazë në Kosovë, Serbia kërcënon me luftë? “Nuk do të rrimë duarkryq”

Nga Rosalba Bejdo
9 Tetor 2025, 14:41 | Ballkani

Mijëra dronë kamikazë në Kosovë, Serbia

Serbia nuk do të rrijë duarkryq përballë armatosjes së Prishtinës nga Turqia. Është paralajmërimi që bën Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Serbi, një ditë pasi presidenti Aleksandër Vuçiç u shpreh i tmerruar lidhur me çështjen.

Ai deklaroi se dronët që Turqia i ka dërguar Kosovës mund të përdoren kundër popullit serb dhe ndoshta si përgatitje për një konflikt me forcat e sigurisë në Serbi.

Drecun pretendon se blerja e dronëve turq është faza e tretë e transformimit të FSK-së në ushtri. Sipas tij, Prishtina ka formuar një komandë të njësisë së aviacionit, ka planifikuar blerjen e helikopterëve nga Shtetet e Bashkuara dhe se më shumë se 12 anëtarë të FSK-së kanë përfunduar trajnimin për pilotë helikopterësh në Turqi.

“A dëshiron Turqia atëherë të stabilizojë situatën në rajon duke e armatosur atë formacion? Sigurisht që jo. Sepse, kur krijon një formacion kaq të paligjshëm ushtarak, e armatos dhe e drejton, e di që veprimet e tij drejtohen kryesisht kundër popullit serb”, tha ai.

Ai deklaroi se Turqia është në krye të vendeve, së bashku me SHBA-në, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, që po krijojnë një formacion ushtarak të paligjshëm në Kosovë.

Sipas vlerësimit të tij, ekziston një rrezik i madh që në periudhën e ardhshme, ndërsa gjenerali turk është në krye të KFOR-it, të lejojë, nën pretekste të ndryshme, stacionimin e pjesëtarëve të FSK-së në veri të Kosovës dhe përdorimin e hapësirës ajrore, përfshirë përgjatë kufirit drejt Serbisë qendrore.

“Nëse do të ndodhte një përpjekje për një masakër masive të popullit serb nga vetë qeverisja e Prishtinës dhe formacionet e saj të armatosura, dhe nëse KFOR-i nuk është i gatshëm ose i paaftë të mbrojë popullin serb, shteti i Serbisë nuk do të rrijë duarkryq”, deklaroi Drecun.

Të mërkurën, presidenti Vuçiç tha se Kosova kishte pranuar mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” nga Turqia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos