Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizite zyrtare në Budapest, deklaroi se Serbia po përballet me sfida serioze për shkak të vendimeve të reja të Bashkimit Evropian për ndalimin e tranzitit të gazit rus. Pas një takimi me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, Vuçiç theksoi se situata energjetike është kritike dhe zgjidhjet janë të pakta për momentin.
“Po pres vetëm që dikush të vijë dhe të thotë ‘nuk mund të përdorni ajrin dhe ujin’. Madje të na thonë se ‘po e bëjmë për të mirën tuaj’. Por kjo është situata”, deklaroi Vuçiç.
Ai tha se bisedimet me Orban përfshinë çështje dypalëshe, bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik, por fokusi kryesor ishte energjia, veçanërisht gazi natyror.
“Folëm për marrëdhëniet tona në të gjitha sferat, nga bankat deri te bashkëpunimi teknik ushtarak. Ne jemi miq shumë besnikë dhe është e vështirë të gjesh miq më të ngushtë sot se serbët dhe hungarezët”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç tha se vendimi i fundit i Këshillit të Energjisë në BE ka pasoja të drejtpërdrejta për Serbinë dhe Hungarinë.
“Tani tubacioni nuk funksionon më drejt Rumanisë. Duhet të ndërtojmë ndërlidhës të rinj, të bëjmë kthime të rrjedhës së gazit drejt Hungarisë, ndërlidhës me Maqedoninë e Veriut... por nuk dimë se ku do të marrim aq shumë gaz nëse nuk është rus. Dhe nëse e gjejmë, do të paguajmë 30-40% më shumë”, paralajmëroi ai.
Sipas tij, kriza nuk është vetëm për gazin apo naftën, por për gjithë sistemin energjetik dhe ekonomik.
“Kur njerëzit dëgjojnë për gazin dhe naftën, mendojnë se dikush do ta zgjidhë. Por kjo është çështje energjie elektrike. Pa TE-TO Novi Sad dhe TE-TO Pancevo, që punojnë me gaz rus, nuk do të kishim energji të mjaftueshme. Kjo ndikon në industri, ekonomi, në çdo gjë”, nënvizoi ai.
Duke komentuar qëndrimin e Brukselit ndaj Rusisë, Vuçiç shtoi se: “Evropa po ngre perden ndaj Federatës Ruse”.
“Ata nuk duan askënd që nuk zbaton plotësisht politikat e tyre. Ne duam paqe. Hungaria gjithashtu. Por nuk e dimë nëse do të kemi sukses, ndoshta jemi shumë të vegjël. Por nuk do të shkojmë në luftë për askënd. Duam vetëm ta mbrojmë vendin tonë.”
Në fund të deklaratës së tij, ai pranoi hapur vështirësitë që po kalon Serbia, por shprehu besim në aftësinë për të gjetur një rrugëdalje.
“Nuk i shoh të gjitha zgjidhjet tani për tani, dhe e pranoj. Nuk jam aq i mençur sa disa që do t’i nxirrnin nga mënga. Por me punë të palodhur do t’i gjejmë. Anija jonë serbe do të lundrojë në një port të sigurt”, përfundoi Vuçiç. (A2 Televizion)