Partitë e koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE dhe VLEN kanë shpallur fitore në zgjedhjet lokale të së dielës në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE shpalli “fitore bindëse” pas raundit të parë, teksa ka siguruar 30 prej 80 komunave, dhe pret të shtojë të paktën 20 të tjera në raundin e dytë, përfshirë kryeqytetin Shkup, ku kandidati i saj Orce Gjorgjievski raportohet në avantazh.
Mickoski tha se VMRO-DPMNE mori më shumë vota sesa në zgjedhjet e kaluara parlamentare e lokale. Ai gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”
Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyçe – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në raundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera, shkruan A2 CNN.
Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit, pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren. Anëtarë dhe simpatizantë të VLEN-it e festuan, siç thanë ata, “fitoren bindëse në Çair dhe Tetovë” pranë monumentit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër.
Ndërsa koalicioni opozitar shqiptar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), i udhëhequr nga BDI, fitoi në raundin e parë në Çashkë, Gostivar, Likovë dhe Pllasnicë, ndërsa do të përballet në balotazh për Kërçovën dhe Strugën. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, tha se në nivel kombëtar “AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi.”
Ndërkohë, partia opozitare maqedonase LSDM ka konfirmuar humbjen në disa komuna, por vlerësoi se performanca e saj nuk është “e dobët”, përkundër rezultateve të vazhdueshme negative. LSDM fitoi kryetarë në komunat Kriva Palanka, Bogdanci dhe Krivogashtan, dhe pret të konkurrojë në rreth 20 komuna në raundin e dytë.
Zgjedhjet, që shënuan një pjesëmarrje prej 46,48 për qind, u zhvilluan të qeta dhe pa shkelje të mëdha. Raundi i dytë do të zhvillohet më 2 nëntor. (A2 Televizion)