"Serbia e Madhe" bëhet realitet, Serbët mblidhen në kuvend: Tregojmë unitetin dhe forcën 

Nga Rosalba Bejdo
7 Qershor 2024, 19:16 | Ballkani

“Një komb, një parlament. Serbia dhe Srpska" ! Do të jetë ky emërtimi zyrtar i Kuvendit të Serbisë së Madhe që do mbahet më 8 qershor në Beograd, mes Serbisë dhe Republikës Srpska.

Siç ka bërë më dije presidenti Aleksandër Vuçiç, mbi 7 mijë serbë nga Republika Srpska do të marrin pjesë, ndërsa Kuvendi do të nisë me lutje në Kishën e Shën Savës, për të vijuar më pas me takime mes zyrtarëve të lartë, seancën e përbashkët të dy qeverive takime mes biznesmenëve e përfaqësues të shoqatave të ndryshme.

Ministri i Punës dhe Çështjeve sociale Nemanja Starovic, e cilësoi këtë një ngjarje të madhe e domethënëse, e cila synon të dëshmojë unitetin e popullit serb.

“Bashkim që është i drejtuar drejt një të ardhmeje të përbashkët, një fati që ne ndajmë, por një unitet që nuk drejtohet kundër askujt tjetër, si në Serbi, në Republikën Srpska apo kudo në Ballkan. Një unitet që nuk kërcënon askënd”, tha Staroviç.

Në prag të Kuvendit, Qeveria e Serbisë miratoi disa protokolle dhe memorandume bashkëpunimi me Republikën Srpska në fusha të ndryshme.

Qëllimi sipas ministrit serb, është zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit për t’u bërë më funksional e gjithëpërfshirës.

Në intervistën për RTS, Starovic thekson se ideja e Kuvendit lindi pasi filluan të përballeshin me presione shumë të forta në lidhje me rezolutën për Srebrenicën.

Mbledhja e botës serbe do të prodhojë një deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare e politike të ardhmen e përbashkët që do të nënshkruhet nga dy presidentët, Vuçiç e Dodik e do të bekohet nga patriarku Porfirije.  

Shefi i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se Kuvendi i Serbisë së Madhe do të tregojë forcën dhe unitetin e popullit serb. Sipas tij, qytetarët e tyre, veçanërisht ata në Kosovë, e dinë se sa i rëndësishëm ka qenë bashkimi dhe harmonia e tyre gjatë historisë, duke i ndihmuar të dalin nga situatat e vështira.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos