Tjetër bashkëpunim ushtarak? BE të ndëshkojë Serbinë për lidhjet me Kinën dhe Rusinë

Nga Ideal Gola
7 Maj 2024, 20:24 | Ballkani

Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi pritet të sjellë bashkëpunime edhe në aspektin ushtarak.
Këto janë pritjet e ekspertëve të sigurisë në Prishtinë të cilët kërkojnë nga ndërkombëtarët që të jenë syçelë.

“Mendoj që do të ketë zhvillime në rrafshin, edhe ekonomik, edhe ushtarak, mes të dyja vendeve e që shtetet aleate duhet ta kuptojnë që Serbia nuk është ajo që do të ndryshojë orientimin e saj dhe do të mbetet vasale e vullnetshme e aleancës ruso-kineze”, tha Selam Shkodra, ish-zv/ministër i Brendshëm.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Bashkimi Evropian që të ndëshkojë Serbinë për lidhjet e saj me Kinën dhe Rusië duke ia ndaluar fondet.

“Bashkimi Evropian duhet ta rishikojë qasjen ndaj Serbisë, respektivisht të shoh mundësinë edhe të ndaljes së fondeve të cilat i dedikohen Serbisë përmes shumë proceseve, shumë projekteve, që synohet të përafrohet me Bashkimin Evropian dhe të përmbushë të gjitha ato procese integruese si vend që duhet ti përmbush Serbia”, u shpreh Driton Hyseni, deputet i LVV.

Ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, deklaroi se mezi priste të punonte me Qeverinë e re serbe, që në përbërje ka edhe të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, thonë se me këtë qasje përkëdhelëse Serbia po inkurajohet të destabilizojë rajonin.

“Qasja e butë e Bashkimit Evropian Serbisë nuk është duke i lënë shenjë por përkundrazi është vetëm duke e nxitur që ajo të ketë njëfarë roli destruktiv në rajon e më gjerë dhe mendoj që është koha e fundit që Bashkimi Europin të reagojë edhe më fuqishëm”, tha Hyseni.

Presidenti kinez Xi Jinping do të ketë një ndalesë edhe në Francë dhe në Hungari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos