Pas tragjedisë që tronditi qytetin e Koçanit më 16 mars, më shumë se 100 psikologë nga shkollat e Shkupit janë angazhuar për të ofruar mbështetje psiko-sociale për nxënësit, studentët dhe familjarët e prekur nga ngjarja. Ky grup psikologësh, që përfshin ekspertë të specializuar, ka filluar të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë në terren për ata që janë goditur nga kjo tragjedi.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se 32 psikologë nga Shkupi kanë përfunduar një trajnim të specializuar për të ndihmuar individët që kanë kaluar nëpër trauma të thella pas ngjarjes së tmerrshme. Ky trajnim është zhvilluar në bashkëpunim me Odën e Psikologëve, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe UNICEF, dhe ka për qëllim që psikologët ofrimin e ndihmës së nevojshme për nxënësit dhe familjarët që kanë humbur të dashurit ose janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo ngjarje.
“Psikologët janë angazhuar në shkollat ku ka viktima, por gjithashtu edhe në shkollat ku gjenden vëllezërit, motrat dhe prindërit e viktimave. Ata po punojnë në grupe dhe individualisht me të prekurit, duke ofruar mbështetje emocionale dhe duke u ndihmuar të përballojnë pasojat e kësaj tragjedie,” tha ministrja Janevska.
Ajo po ashtu shtoi se ky është një proces që kërkon kohë dhe organizim të kujdesshëm, por është shumë e rëndësishme që të prekurit të kenë një mbështetje të tillë që mund t’i ndihmojë të përballen me situatën.
Psikologët janë shpërndarë në qytetet e Koçanit, Vinicës, Shtipit dhe Çeshinovë-Obleshevë, duke ofruar mbështetje psiko-sociale në terren. Pjesëmarrësit në trajnim janë përgatitur për të ofruar ndihmën më të duhur për çdo individ, me fokus të veçantë tek ata që janë më të prekshëm, si nxënësit dhe prindërit që kanë humbur të dashurit e tyre. Çdo shkollë ka një psikolog të angazhuar, dhe ata janë të angazhuar në një planifikim të kujdesshëm të takimeve, duke i mundësuar individëve që të kenë mbështetje të nevojshme në momentet më të vështira.
Përveç mbështetjes psiko-sociale, janë ndërmarrë edhe masa për të siguruar mbështetje financiare për familjet e prekura. Qeveria ka shpallur se do t'u ndahen 150,000 denarë për secilën familje të prekur nga tragjedia. Ky fond do të shërbejë për mbulimin e shpenzimeve të menjëhershme dhe për ndihmën e nevojshme për të përballuar ditët e para pas ngjarjes. Sipas zëdhënëse e Qeverisë Marija Miteva, të gjitha donacionet që janë mbledhur deri tani përmes llogarisë zyrtare të Kryqit të Kuq do të përdoren vetëm për ndihmën e familjeve të prekura. Ajo theksoi rëndësinë e ndihmës përmes kanaleve të sigurta dhe zyrtare, për të siguruar që fondet të arrijnë atje ku janë më shumë të nevojshme.
Për momentin, deri më tani janë mbledhur 48,172,115 denarë për familjet e prekura, një shifër që tregon solidaritetin e madh të qytetarëve dhe shoqërisë maqedonase.
(A2 Televizion)