Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është në presion të shtuar përballë aleatit të vet më të madh, Rusisë, të cilës duhet t’i dëshmojë se nuk e ka tradhëtuar duke armatosur indirekt ukrainasit.
Shërbimi rus i inteligjencës deklaroi më herët se municionet e prodhuara në fabrikat e mbrojtjes në Rusi po u dërgohen shteteve të NATO-s, ku më pas montohen për t’iu dërguar Kievit, shkruan A2.
“Ministria e Mbrojtjes e ka kuptuar urdhërin tim”, thotë Vuçiç duke iu referuar vendimit për të ndaluar eksportet e armatimeve.
“Që prej së hënës jam ekspozuar ndaj një presioni të madh si brenda ashtu edhe jashtë”, ishin fjalët e tij.
“Disa po u raportojnë amerikanëve dhe anglezëve, të tjerë po u raportojnë rusëve dhe askush nuk interesohet për Serbinë, sepse nëse Aleksandar Vuçiçit mund t’i thyhet shtylla kurrizore, ai nuk i ka dy të tilla, po vetëm të vetën, palën serbe”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se vetëm me vendimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili do të jetë shumë transparent, do të jenë në gjendje të eksportojmë municione. Ai shtoi se ishin nën presion për të dërguar disa dërgesa të kontraktuar më herët, dhe se përgjigjja negative e tij ka bërë që fabrikat e prodhimit të paralajmërojnë protesta pasi duhet të marrin pagesat. Sipas Presidentit serb, tregtarët e armëve dhe municioneve janë të përfshirë nga alarmi. (A2 Televizion)