Analiza: Municioni i Serbisë, i ngrirë në kohë krizash

Nga A2 CNN
24 Qershor 2025, 15:00 | Ballkani

Analiza: Municioni i Serbisë, i ngrirë në kohë krizash

Serbia ndaloi plotësisht eksportin e municionit, në kohën e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit dhe mes kritikave të shtuara nga Rusia, për shkak të Ukrainës.

I pyetur nëse me eksportin e municionit në Izrael, Serbia zgjodhi anë në konfliktin izraelito-iranian, presidenti Aleksandar Vuçiç u përgjigj: “Tani, nuk eksportojmë asgjë”.

“I kemi ndalur të gjitha. Duhet të merren vendime të posaçme për t’u lejuar ndonjë eksport”, tha ai pas mbledhjes së kolegjiumit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, më 23 qershor.

Një ditë më vonë, Vuçiç tha se, në të ardhmen, vetëm Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të vendosë për eksportin e municioneve nga Serbia.

Ai tha se do të krijohet një “listë e zezë, gri dhe e bardhë” e vendeve në lidhje me eksportin e municioneve serbe.

Rreth dhjetë ditë më herët dhe para sulmit të Izraelit ndaj Iranit, Vuçiq tha se Serbia është i vetmi vend në Evropë që bën biznes me Izraelin në fushën e municioneve ushtarake.

Vuçiç e sheh industrinë ushtarake si mundësi për të gjeneruar të ardhura dhe shpesh flet me krenari për kapacitetet dhe arritjet e saj.

Në Serbi ka disa fabrika që prodhojnë armë dhe pajisje ushtarake.

Tani, autoritetet serbe po ndjekin të njëjtën strategji, si në verën e vitit 2023, kur për një muaj ndaluan eksportin e armëve.

Duke iu referuar pikërisht atij momenti, analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për “një qëndrim si përgjigje ndaj dy sfidave serioze mediatike”.

Njëra, thotë ai, është eksporti i municioneve serbe në Izrael, dhe tjetra ka të bëjë me municionet për Ukrainën.

“Dhe, tani, mbulimi mediatik i kësaj është ai qëndrimi teatral... eksportet janë pezulluar, kështu që tani e shihni, nuk ka rëndësi se cilat do të jenë pasojat financiare, por ne do të jemi parimorë”, thotë Radiq.

Në njërën anë Irani, në anën tjetër Rusia

Duke shpjeguar qëndrimin e Serbisë, Vuçiç tha se “një gjë” është që Serbia e lejoi eksportin e municionit në Izrael, pas sulmit të 7 tetorit, 2023.

“Por, sot, situata është ndryshe”, sipas tij.

Në tetor të 2023-shit, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gazë, që rezultoi me dhjetëra mijëra njerëz të vrarë.

Paraprakisht, Izraeli u sulmua nga Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - i cili vrau rreth 1.200 njerëz dhe mori peng mbi 250 të tjerë.

Një konflikt i ri, pastaj, shpërtheu më 13 qershor, kur Izraeli sulmoi Iranin për ta penguar nga, siç pretendoi, krijimi i armëve bërthamore.

Më 22 qershor u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara, duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit.

Në të njëjtën ditë kur presidenti i Serbisë bëri të ditur vendimin për ndalimin e eksportit të municionit, Shërbimi i Jashtëm Informativ rus (SVR) tha se eksporti i municionit nga Serbia në Ukrainë po rritet, pavarësisht presionit të Moskës.

Shërbimi rus pohoi se ky eksport po rritet përmes përdorimit të rrugëve të tërthorta - domethënë përmes ndërmjetësve.

Në njoftim thuhet se municioni i prodhuar në ndërmarrjet ushtarake në Serbi, kryesisht për sistemet e rënda me rreze të gjatë veprimi, dërgohet në vendet e NATO-s, në formë të pjesëve të plota për montim.

“Kjo i mundëson Kievit të marrë formalisht produkte të industrisë ushtarake, që nuk janë më serbe, por montohen në fabrikat e armëve në vendet perëndimore. Montimi dhe mbushja e municionit bëhen kryesisht në Çeki dhe Bullgari”, tha SVR-ja.

Edhe më 28 maj, ky shërbim e akuzoi Serbinë se, “pavarësisht neutralitetit të shpallur zyrtarisht”, ajo vazhdon të dërgojë municion në Ukrainë.

Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të fqinjit të saj.

Beogradi zyrtar mohon vazhdimisht se Serbia eksporton armë drejtpërdrejt në Ukrainë ose në Rusi.

Megjithatë, pranon se nuk mund të kontrollojë se ku përfundojnë ato armë, pasi shiten në vendet e treta.

Vuçiç iu referua kësaj edhe kur bëri të ditur vendimin për pezullimin e eksportit të municioneve.

“Pasi kemi parë që municionet po shfaqen në Ukrainë - nga të dyja palët, dhe po ankohen të dyja... mund të ndërhyj vetëm në një mënyrë: të them që për një periudhë, i gjithë municioni të qëndrojë vetëm në kazermat tona”, tha ai.

Fitimi, aktualisht, në plan të dytë

Maja Bjellosh, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë, vë në dukje për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Beogradit për të ndalur eksportin e municionit, erdhi menjëherë pas një deklarate zyrtare të Iranit.

Ushtria iraniane paralajmëroi më 21 qershor se çdo dërgesë e ndihmave ushtarake për Izraelin, do të konsiderohet si pjesëmarrje në agresion kundër Iranit dhe do të bëhet objektiv legjitim.

Bjellosh thotë se, derisa vendet perëndimore e shohin si pozitive dërgimin e municionit serb në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta, Rusia po i bën presion gjithnjë e më të madh Serbisë për ta ndalur këtë praktikë.

“... për ta kujtuar udhëheqjen serbe se një veprim i tillë përfaqëson një sulm të tërthortë ndaj Rusisë”, thotë Bjellosh.

Mediat e huaja kanë raportuar disa herë gjatë viteve të fundit se armët dhe municioni serb, përmes vendeve të treta, përfundojnë në duart e ushtarëve ukrainas.

Kështu, më 22 qershor, 2024, gazeta britanike Financial Times ka shkruar se Serbia ka eksportuar në mënyrë indirekte, përmes vendeve të tjera, municione me vlerë 800 milionë euro në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Në atë kohë, Vuçiç konfirmoi për gazetën se informacioni në lidhje me vlerën e municioneve, është kryesisht i saktë.

“Po, ne i eksportojmë municionet tona. Nuk mund të eksportojmë në Ukrainë ose në Rusi, por kemi shumë kontrata me amerikanët, spanjollët, çekët e të tjerë. Ajo që bëjnë ata me to, është puna e tyre”, tha ai për Financial Times.

Zyrtarët e huaj e kanë falënderuar vazhdimisht Serbinë për ndihmën e saj për Ukrainën.

Në mesin e tyre, në korrik të vitit 2024, ishte ndihmësi i atëhershëm i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Atëkohë, ai tha se Serbia, “duke vënë në dispozicion armët e saj, po e ndihmon Ukrainën që të mbrojë një parim thelbësor të së drejtës ndërkombëtare”.

Radiç: Pezullimi i eksporteve nuk është praktikë e zakonshme

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se që kur është në fuqi pezullimi i eksporteve dhe sa do të zgjasë ai.

Të dhëna të sakta se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake, si dhe në çfarë sasish eksporton Serbia në Izrael dhe në vende të tjera, nuk janë të disponueshme publikisht.

Ministria për Tregtinë e Brendshme dhe të Jashtme në Serbi nuk ka publikuar në faqen e saj zyrtare raporte vjetore për lejet e lëshuara për eksport në vitet e fundit.

Analisti ushtarak, Radiç, thotë se pezullimi i eksporteve nuk njihet si praktikë.

“Këtë e kemi parë në vitin 2023, kur një vendim i tillë u mor në mënyrë jo të zakonshme dhe tregoi se si funksionon sistemi serb, ku një person, presidenti i vendit, thotë ‘tani nuk do të eksportojmë’”, shprehet Radiç.

Ai thotë se, atëkohë, u ndalua realizimi i lejeve të eksportit që ishin dhënë më parë, por nuk u tha se “nuk do të ketë asgjë nga kontratat e nënshkruara”.

“Kjo ndoshta ka shkaktuar shpenzime më të mëdha dhe probleme më të mëdha për disa kompani, por nuk ka ndikuar në furnizimin e depozitave vendase”, thotë Radiç.

Në vitin 2023, Qeveria e Serbisë e ndaloi eksportin e armëve duke argumentuar se interesi kombëtar i Serbisë ishte “i rrezikuar deri në shkallën më të lartë”, por nuk dha më shumë detaje.

Lejet për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake i jep Ministria për Tregtinë e Brendshme dhe të Jashtme.

Për to është i domosdoshëm edhe pëlqimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, asaj të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.

Gjithashtu kërkohet një konfirmim nga përdoruesi përfundimtar, i vërtetuar nga autoriteti zyrtar i shtetit të përdoruesit përfundimtar.

Kur jepet leja për eksport, sigurohet që ajo të mos shkelë sanksionet ndërkombëtare, të mos kontribuojë në shkeljen e të drejtave të njeriut në vendin ku shkojnë mallrat, dhe të mos ndihmojë në shkaktimin ose vazhdimin e luftërave apo konflikteve të tjera në atë vend./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos