Sulm bletësh ndaj kalimtarëve në Francë, 24 të plagosur, tre në gjendje kritike

Nga A2 CNN
7 Korrik 2025, 21:43 | Bota

Sulm bletësh ndaj kalimtarëve në Francë, 24 të

Një sulm masiv bletësh ndaj kalimtarëve në Aurillac të Francës ka lënë të plagosur 24 persona, tre prej të cilëve në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, kur kalimtarët u pickuan për rreth 30 minuta, sipas prefekturës Cantal. Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore u ofruan ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa policia vendosi masa sigurie derisa sulmi i bletëve u ndal.

Tre personat në gjendje kritike u dërguan në një spital lokal. Pierre Matonnier, kryebashkiaku i Aurillac, i tha BFM TV të hënën se gjendja e tyre ishte përmirësuar. Sipas Matonnier, një burrë 78-vjeçar pësoi një arrest kardiak dhe u kthye në jetë me anë të CPR-së.

Kryebashkiaku tha se incidenti mund të lidhet me grerëzat që kërcënonin një koshere bletësh të instaluar në çatinë e një hoteli më shumë se një dekadë më parë, duke bërë që bletët të bëheshin agresive. Matonnier tha se bletari e kishte hequr kosheren dhe e kishte zhvendosur jashtë qytetit.

Toger Michel Caillat, kreu i departamentit lokal të zjarrfikësve, tha se nuk kishte përjetuar kurrë një sulm të tillë.

"Sa i përket numrit të viktimave, panikut që mbizotëronte midis njerëzve dhe ashpërsisë së disa prej lëndimeve, ishte tronditëse", tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos