Tërmet i fuqishëm afër Ishujve Fixhi në Oqeanin Paqësor

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 07:51 | Bota

Tërmet i fuqishëm afër Ishujve Fixhi në Oqeanin Paqësor

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.5 sipas shkallës Rihter është regjistruar në zonën detare afër Ishujve Fixhi në Oqeanin Paqësor. Lajmi është konfirmuar nga Instituti Gjeofizik i Shteteve të Bashkuara (USGS), i cili ka publikuar edhe të dhënat paraprake të lëkundjes sizmike.

Sipas USGS, epiqendra e tërmetit është lokalizuar në det, në një thellësi prej rreth 174 kilometrash nën sipërfaqen e tokës. Thellësia e madhe e tërmetit mund të ketë zbutur efektet e drejtpërdrejta në sipërfaqe, por autoritetet janë ende në vëzhgim të situatës për çdo rrezik të mundshëm.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo viktima, dhe nuk është lëshuar ndonjë paralajmërim për cunami. Megjithatë, banorët në disa pjesë të Fixhit dhe zonave përreth kanë raportuar se kanë ndjerë lëkundjet, ndonëse me intensitet të moderuar.

Ishujt Fixhi ndodhen në një zonë të njohur për aktivitet të lartë sizmik, të quajtur “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”, ku përplasen disa pllaka tektonike dhe ku tërmetet janë relativisht të zakonshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos