
Një zjarr i madh shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së shtunës në objekte magazinimi që i përkasin kompanive të huaja të naftës në perëndim të qytetit të Basra, në jug të Irakut, përcjell A2CNN.
Sipas burimeve të sigurisë të cituara nga Reuters, zjarri erdhi si pasojë e një sulmi me dron që goditi zonën ku ndodhen këto facilitete energjetike.
Deri më tani nuk ka raportime për viktima apo të plagosur. Nuk dihet shkalla e dëmeve materiale dhe nuk është konfirmuar ende se kush qëndron pas sulmit.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ku infrastruktura energjetike në Irak, veçanërisht në zonën e Basrës, që është qendra kryesore e prodhimit të naftës në vend, ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve me dronë dhe raketa.
Ky incident shton shqetësimet për sigurinë e kompanive ndërkombëtare që operojnë në sektorin e naftës në Irak dhe mund të ketë ndikim në tregjet globale të energjisë. (A2 Televizion)