
Një sulm me raketa shkaktoi një zjarr të mërkurën në mbrëmje në një bazë ushtarake në jug të Rusisë, duke i detyruar autoritetet të evakuojnë banorët e një fshati aty pranë, tha guvernatori i rajonit të Volgogradit.
"Një zjarr shpërtheu pas rënies së mbeturinave në territorin e një objekti të Ministrisë së Mbrojtjes pranë fshatit Kotluban", shpjegoi Andrei Bocharov, duke shtuar se nuk kishte viktima civile, por se banorët do të evakuohen "për të mbrojtur popullsinë nga rreziku i shpërthimit ndërsa zjarri po shuhet".
Ndërkohë sulme të tjera thuhet se kanë ndodhur edhe në Kiev. Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 106 dronë të forcave të armatosura ukrainase mbi rajonet ruse gjatë natës, raportoi Ministria Ruse e Mbrojtjes, përcjell A2 CNN.
"Sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë interceptuan dhe shkatërruan 106 UAV ukrainase", thuhet në raport. Luftëtarët rusë rrëzuan 24 UAV në rajonin e Belgorod, 21 në rajonin e Bryansk, 19 në rajonin e Voronezh dhe 13 në rajonin e Tambov. Nëntë dronë të tjerë u neutralizuan në rajonin e Nizhny Novgorod, pesë në Krime, katër mbi Detin e Azov, tre në rajonin e Rostovit, dy në rajonin e Lipetsk, një në Krai Krasnodar dhe një mbi Detin e Zi, si dhe në rajonet Kursk, Tula, Smolensk dhe Volgograd.
Ndërkohë që në orët e fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është gati të njoftojë një plan për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe një referendum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë. Ndërkaq Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën jeshile një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
(A2 Televizion)