
Policia kanadeze ka identifikuar një 18-vjeçar si të dyshuar për të shtënat me armë që vranë tetë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë në British Columbia të Kanadasë.
Policia tha se Jesse Van Rootselaar u gjet i vdekur në vendngjarje nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë, ndërsa motivi i sulmit nuk dihet ende.
Gjashtë persona u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën në shkollën e mesme Tumbler Ridge. Dy të tjerë u gjetën të vdekur në një shtëpi aty pranë.
Autoritetet thanë se Van Rootselaar lindi si mashkull biologjik, por u identifikua si grua.
"Mund të them se Jesse lindi si një mashkull biologjik i cili afërsisht gjashtë vjet më parë filloi të shndërrohej në femër", tha Dwayne McDonald, zëvendëskomisioneri i Policisë Mbretërore Kanadeze të Kalërimit (RCMP).
Të shtënat në shtëpinë aty pranë ndodhën më parë, pastaj i dyshuari shkoi në shkollë, tha McDonald.
Viktimat në shkollë ishin një edukatore 39-vjeçare, tre nxënëse femra, të gjitha 12 vjeç, dhe dy nxënës meshkuj, njëri 12 vjeç dhe tjetri 13 vjeç.
Autoritetet nuk besojnë se ka të dyshuar të tjerë të përfshirë në të shtënat. (A2 Televizion)