Atentat ndaj Donald Trump, ish-Presidenti plagoset në vesh. Shërbimi Sekret vret autorin

Nga Xhevahir Qardaku
14 Korrik 2024, 11:14 | Bota

Kaosi shpërtheu në një tubim elektoral të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, në Butler të Pensilvanisë. 

Fillimisht u dëgjuan të shtëna me armë, më pas ish-Presidenti ra në tokë. U dëgjuan edhe më shumë të shtëna, të shoqëruara nga britmat e turmës. Disa momente më pas, agjentët e Shërbimit Sekret ndërhynë duke ngritur Trump, që u shfaq me fytyrën e gjakosur. Ish-Presidenti ngriti grushtin duke treguar se është mirë, ndërsa u largua me shpejtësi nga skena.

Një zëdhënës i Trump thotë se ish-Presidenti shpëtoi falë ndërhyrjes së efektivëve për reagimin e shpejtë gjatë këtij atentati mizor. Shërbimi Sekret vrau menjëherë autorin e këtij sulmi me armë. Sipas FBI, agresori ishte pozicionuar në tarracën e një ndërtese, pak metra nga vendi ku po zhvillohej tubimi elektoral.

Një nga dëshmitarët thotë për CNN se e gjithë ngjarja ishte shokuese: “Shumë nga të pranishmit menduan se ishin fishekzjarre, por e kuptova menjëherë që ishin të shtëna me armë”.

FBI konfirmoi se kjo ishte një tentativë për vrasjen e Trump, ndërsa një zëdhënës i Shërbimit Sekret konfirmoi se hetimet janë duke u zhvilluar. Nga kjo ngjarje, 1 person mbeti i vrarë dhe 2 të tjerë u plagosën, përveç Donald Trump. Ish-Presidenti pasi mori trajtimin e nevojshëm në spital, është kthyer në shtëpinë e tij në New Jersey.

Menjëherë komunikoi me mbështetësit e tij duke konfirmuar që ishte mirë. “Një plumb më shpoi majën e veshit të djathtë”, shkroi ai në rrjetin e tij social Truth Social. “Dua të falënderoj Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për reagimin e tyre të shpejtë ndaj të shtënave”, lexohet në deklaratë.

“Mbi të gjitha, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit në miting që u vra dhe gjithashtu për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë. Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë”, nënvizoi Trump duke treguar momentin e atentatit.

“Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte kur dëgjova një fishkëllimë, të shtëna dhe menjëherë pas kësaj ndjeva që plumbi më shpoi lëkurën. Kisha shumë gjakderdhje, kështu që e kuptova shpejt se çfarë po ndodhte”, përfundon Trump.

FBI thotë se ka identifikuar 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks si "subjektin e përfshirë" në tentativën për vrasjen e ish-Presidentit. Lidhur me ngjarjen shokuese ka ndërhyrë dhe Presidenti Joe Biden.

“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune. Është diçka shumë e tmerrshme”, ishte reagimi i parë i kreut të Shtëpisë së Bardhë. Shtëpia e Bardhë konfirmoi që Biden ka biseduar me Trump përmes telefonit. Ish-Presidenti ka dërguar edhe një email për mbështetësit e tij duke theksuar se nuk do të dorëzohet kurrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos