
Katër ambulanca të komunitetit hebre u dogjën qëllimisht në veri të Londrës të hënën, në atë që kryeministri britanik Keir Starmer e quajti “një sulm tronditës antisemit me zjarrvënie”.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës tha se disa cilindra në automjete shpërthyen, duke thyer dritaret përreth. Nuk u raportuan të lënduar dhe nuk është bërë asnjë arrestim. Faqja e inteligjencës SITE tha se një grup militant shumëkombësh i lidhur me Iranin, i quajtur, ka marrë përgjegjësinë për sulmin pranë një sinagoge në Golders Green. Sipas saj, ky grup ka qenë pas zjarreve të ngjashme në Liège të Belgjikës dhe në Rotterdam e Amsterdam të Holandës.
Ligjvënësit britanikë dhe agjencia e brendshme e inteligjencës MI5 kanë paralajmëruar për kërcënimet që vijnë nga Irani, përfshirë mbikëqyrjen ose shënjestrimin e objekteve hebreje. Teherani i ka mohuar këto akuza.
Ambasada izraelite në Londër, e cila prej kohësh ka kritikuar Britaninë për mosveprim ndaj antisemitizmit, tha se sulmet me zjarrvënie pasojnë vite marshimesh “të mbushura me urrejtje” në mbështetje të palestinezëve, si dhe nxitje dhe frikësim.
“Mjaft është mjaft,” tha ajo në rrjetin X, duke bërë thirrje për “veprim vendimtar për t’i dhënë fund kësaj klime frikësimi përpara se të përshkallëzohet më tej. Heshtja dhe mosveprimi nuk janë më opsion.”
Pamjet e sigurisë treguan tre burra me xhaketa me kapuç duke iu afruar ambulancave përpara se ato të përfshiheshin nga flakët.
Policia tha se zjarret po trajtohen si krim urrejtjeje antisemit, jo si incident terrorist, por hetimi do të drejtohet nga oficerë kundër terrorizmit me ekspertizë të specializuar. Ajo shtoi se nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e pretendimit online nga grupi i lidhur me Iranin. Prokurorët holandezë kanë thënë se pretendimet e këtij grupi janë pjesë e hetimeve për sulmet ndaj një shkolle hebreje në Amsterdam dhe një sinagoge në Roterdam, por nuk dhanë më shumë detaje. (A2 Televizion)