
Një gjeneral i lartë i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake ruse është plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në Moskë. Sipas hetuesve, cituar nga mediat ruse, bëhet fjalë për gjeneral-lejtnant Vladimir Alekseev, zëvendësshefi i parë i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ushtarake (GRU).
Ngjarja ka ndodhur të premten në pjesën perëndimore të kryeqytetit rus, pranë banesës së tij. Autoritetet thanë se Alekseev është qëlluar disa herë pas shpine nga një person i armatosur, i cili më pas është larguar nga vendngjarja. Gjenerali 64-vjeçar është transportuar me urgjencë në spital, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë publike.
Në vendin e ngjarjes po punojnë hetues dhe ekspertë të mjekësisë ligjore për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmit.
Alekseev konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të inteligjencës ushtarake ruse, duke mbajtur postin e zëvendësshefit të parë të GRU-së që nga viti 2011. Në këtë rol, ai ka pasur përgjegjësi edhe për operacionet kundër terrorizmit në Siri.
Në vitin 2017, Alekseev u nderua me titullin “Hero i Federatës Ruse”, një nga dekoratat më të larta shtetërore. (A2 Televizion)