Sulm në Pallatin e Drejtësisë në Iran, 8 të vdekur

Nga A2 CNN
26 Korrik 2025, 12:17 | Bota

Sulm në Pallatin e Drejtësisë në Iran, 8 të vdekur

Tetë persona u vranë dhe 13 u plagosën në sulmin e mëngjesit të sotëm në Pallatin e Drejtësisë në Zahedan, në provincën juglindore të Iranit, Sistan dhe Baluchestan. Grupi separatist suni-beluchit Jaish al-Adl (Ushtria e Drejtësisë) mori përgjegjësinë për sulmin, raportoi IRNA.

"Terroristët e lidhur me regjimin sionist hodhën një granatë në ndërtesë, e cila shpërtheu, duke vrarë pesë persona, përfshirë një nënë dhe fëmijën e saj njëvjeçar", tha Alireza Daliri, zëvendëskomandant i policisë provinciale, përcjell A2 CNN.

Të vdekurit përfshijnë pesë civilë dhe tre sulmues, ndërsa një nga të plagosurit është në gjendje kritike.

Ekipet e ndihmës së shpejtë dhe njësitë e sigurisë rrethuan me shpejtësi ndërtesën dhe siguruan zonën. Autoritetet iraniane kanë nisur një hetim të plotë për sulmin.

Zahedani, kryeqyteti i provincës Sistan dhe Baluchestan, më parë ka qenë dëshmitar i trazirave dhe dhunës sporadike që i atribuohet grupeve të armatosura që veprojnë pranë kufijve me Pakistanin dhe Afganistanin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos