
Islanda ka përjetuar Krishtlindjen më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, duke shënuar një tjetër sinjal alarmi për pasojat e ngrohjes globale. Sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze, më 24 dhjetor temperatura në qytetin Seyðisfjörður, në lindje të vendit, arriti në 19,8 gradë Celsius, pothuajse 20°C, një vlerë jashtëzakonisht e lartë për këtë periudhë të vitit. Zakonisht, temperaturat mesatare të dhjetorit në Islandë variojnë nga -1°C deri në 4°C.
Rekorde të tjera u shënuan po atë ditë edhe në zona përreth, ku në Bakkagerði u regjistruan 19,7°C. Rekordi i mëparshëm për muajin dhjetor ishte vendosur në vitin 2019, shkruan A2 CNN. Meteorologët shpjegojnë se ky fenomen u shkaktua nga masa ajri të ngrohta me origjinë tropikale, tërhequr mbi vend nga një sistem i fortë presioni të lartë, i cili pengoi depërtimin e ajrit të ftohtë.

Ekspertët theksojnë se Islanda po ngrohet me shpejtësi për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Gjatë këtij viti, vendi ka përjetuar valë të forta të të nxehtit, shkrirje të akullnajave dhe ndryshime të dukshme në ekosisteme. Madje, për herë të parë janë konstatuar edhe mushkonja në Islandë, një dukuri e panjohur më parë. Studimet tregojnë se rajoni Arktik po ngrohet katër herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit, dhe Islanda është një nga shembujt më të qartë të këtij ndryshimi dramatik. (A2 Televizion)