A je shqiptar? Një pyetje që u shoqërua me fyerje në fushë, por që përfundoi me kërkimfalje në dhomat e zhveshjes. Rocco Vata, sulmuesi i Irlandës dhe djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vata, ka zbuluar prapaskenat e përplasjes me futbollistët e Kosovës, në sfidën e fituar 3-0 nga irlandezët.
I aktivizuar në minutat e fundit të takimit, Vata tregoi se disa prej lojtarëve kundërshtarë e provokuan në gjuhën shqipe, duke e pyetur fillimisht nëse ishte shqiptar dhe më pas duke e fyer.
“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata niswn provokimet. Më thanë: ‘Ti je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘Po, nuk ka problem’”.
Por, historia nuk përfundoi me vërshëllimën e fundit. Pas ndeshjes, njëri prej lojtarëve shkoi në dhomat e zhveshjes dhe i kërkoi falje Vatës, një gjest që futbollisti e vlerësoi pozitivisht.
Një mbrëmje e veçantë për 21-vjeçarin, i cili përtej këtij episodi përjetoi edhe emocionet e pranisë së gjyshes së tij në stadium, shkruan A2.
Rocco Vata ka zgjedhur të përfaqësojë Irlandën, duke mbyllur përfundimisht mundësinë për të luajtur me Shqipërinë, ndërsa sfida ndaj Kosovës ishte një tjetër hap në rrugëtimin e tij me përfaqësuesen irlandeze. (A2 Televizion)