Elia Caprile, enigma e Kombëtares shqiptare. Maran sqaron situatën

Nga Dea Kozma
20 Nëntor 2026, 12:46 | Futboll

Një çështje që dukej se po merrte drejtimin e një afrimi të mundshëm me Kombëtaren shqiptare, tashmë ka më shumë pikëpyetje se përgjigje. Pas Elia Kapriles, edhe trajneri i kuqezinjve, Rolando Maran, duket se distancohet nga deklaratat e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për portierin e Kaljarit.

Gjithçka nisi pas deklaratës së Dukës, i cili bëri të ditur se Kaprile kishte marrë pasaportën shqiptare me objektivin për t'iu bashkuar Kombëtares. Por vetë gardiani italian kishte sqaruar në mediat italiane se shtetësinë shqiptare e kishte marrë për arsye familjare dhe se deri në atë moment nuk kishte pasur asnjë kontakt nga Federata.

Tashmë, një tjetër qëndrim vjen nga trajneri Rolando Maran, i cili në një intervistë për mediat italiane është pyetur pikërisht për këtë çështje: “Elia e ka marrë pasaportën shqiptare për arsye familjare, ende nuk e ka përfunduar procedurën dhe për këtë arsye nuk kemi folur për këtë çështje. Megjithatë, nëse do të ishte i gatshëm, sigurisht që do të na bënte punë”.

Një përgjigje që nuk lë vend për shumë interpretime, pasi tekniku italian konfirmon se deri më tani nuk ka pasur diskutime konkrete për përfshirjen e portierit te Shqipëria, shkruan A2.

Kështu, pas deklaratës së vetë Kapriles, edhe Maran vendos të sqarojë pozicionin e tij, ndërsa deklaratat e tre protagonistëve krijojnë një panoramë jo fort të qartë për të ardhmen e portierit të Kaljarit.

Për momentin, dëshira e Federatës për ta pasur Kaprilen në dispozicion është e qartë, por mbetet për t'u parë nëse ky interes do të kthehet në një mundësi reale për fanellën kuqezi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos