27 ushtarë të vrarë për çdo kilometër në Ukrainë, 2024 ishte viti më vdekjeprurës për Rusinë

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 11:03 | Bota

Viti 2024 shënoi vitin më të përgjakshëm për forcat ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, me të paktën 45 287 ushtarë të vrarë. Kjo shifër është gati trefishi i humbjeve të vitit të parë të pushtimit dhe tejkalon ndjeshëm edhe viktimat e vitit 2023, gjatë betejës për Bakhmutin.

Të dhënat janë mbledhur nga Shërbimi Rus i BBC-së dhe Mediazona, të cilët analizuan informacione nga varreza, memoriale ushtarake dhe nekrologji. Deri më tani janë identifikuar emrat e 106 745 ushtarëve rusë të vrarë, por vlerësimet reale sugjerojnë se numri i vërtetë i të vdekurve mund të shkojë nga 164 000 deri në 237 000.

Dita më vdekjeprurëse e vitit 2024 ishte 20 shkurti, kur një sulm me raketa HIMARS në një qendër stërvitore në Volnovakha të Donetskut vrau 65 ushtarë rusë gjatë një ceremonie ku po shpërndaheshin medalje. Në total, 201 ushtarë rusë humbën jetën atë ditë, shkruan A2 CNN. Sipas analizës, Rusia humbi mesatarisht 27 ushtarë për çdo kilometër katror të territorit ukrainas të pushtuar në vitin 2024. Më shumë se 11 600 ushtarë rusë u vranë vetëm gjatë ofensivës së ngadaltë në lindje, nga shtatori deri në nëntor.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, Rusia ka rritur rekrutimin, duke ofruar shpërblime të mëdha financiare dhe duke përfshirë të dënuar që nënshkruajnë kontrata për të shmangur burgun. Një pjesë e konsiderueshme e viktimave të identifikuara janë “vullnetarë” të tillë, shumë prej të cilëve dërgohen në front me vetëm 10 deri në 14 ditë stërvitje.

Në total, duke përfshirë luftëtarët e republikave separatiste, vlerësohet se mes 185 000 dhe 260 700 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos