40 viktima nga i nxehti në Francë! Europa në alarm, në Spanjë shënohen 44 gradë Celsius

Nga Rosalba Bejdo
23 Qershor 2026, 14:59 | Bota

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Europën po shkakton pasoja tragjike, me Francën, Spanjën dhe Italinë ndër vendet më të goditura.

Autoritetet franceze njoftojnë se, që nga e enjtja e kaluar, 40 persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me temperaturat e larta, kryesisht si pasojë e mbytjeve në lumenj dhe zona të pambikëqyrura, shkruan A2 CNN. Mes viktimave është edhe një vajzë 13-vjeçare, e cila humbi jetën në lumin Senë, ndërsa një futbollist i ri profesionist ndodhet në gjendje kritike pasi u nxor nga lumi Rhône, pranë Lionit.

Dy viktima të tjera në Francë iu atribuuan gjithashtu temperaturave ekstreme, pasi dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, u gjetën pa shenja jete brenda makinës së familjes së tyre në një parking në qytetin jugor të Carpentras.

Franca regjistroi ditën më të nxehtë të qershorit në histori, ndërsa nata e së hënës ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë. Mbi gjysma e territorit francez mbetet nën alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta.

Edhe Spanja po përballet me temperatura ekstreme, të cilat në disa zona pritet të arrijnë deri në 44 gradë Celsius. Alarm i kuq është shpallur në Andaluzinë jugore, si dhe në Cantabria dhe Rajonin Bask në veri, ndërsa vendi po përballet me ditën e tretë të valës kombëtare të të nxehtit.

Shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Në Itali, alarmi i kuq është shpallur në 15 qytete, përfshirë Romën, Milanon dhe Venecian. Qeveria ka rikthyer masa emergjente për mbrojtjen e punëtorëve të ekspozuar ndaj diellit, ndërsa kompanitë që pezullojnë aktivitetin për shkak të vapës do të përfitojnë mbështetje financiare.

Temperaturat rekord kanë ndikuar edhe në sektorin energjetik. Në jugperëndim të Francës, centrali bërthamor i Golfech u detyrua të ndërpresë aktivitetin, pasi temperatura e ujit të lumit Garonne arriti kufirin maksimal të lejuar për ftohjen e reaktorëve.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për shëndetin e qytetarëve në mbarë Europën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos