Një tjetër natë zjarri për banorët e Ukrainës, të cilët përjetuan një prej sulmeve më vdekjeprurëse që prej fillimit të luftës.
Të paktën 20 persona u vranë, përfshirë 2 fëmijë pas një sulmi të Rusisë në qytetin e Ternopil që goditi dy pallate. Sipas policisë, gati 70 vetë mbetën të plagosur, ndër të cilët 16 të mitur.
Presidenti Volodymyr Zelensky raportoi se Moska lëshoi më shumë se 470 dronë dhe 47 raketa në valën e re të bombardimeve. Sipas tij, shkatërrimi në Ternopil ishte i konsiderueshëm dhe persona të tjerë mund të jenë bllokuar në rrënoja.
“Çdo sulm i pacipë kundër qytetarëve të thjeshtë tregon se presioni mbi Rusinë është i pamjaftueshëm”, shkroi Zelensky në Telegram, përcjell A2CNN.
3 lagje në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv u shënjestruan gjithashtu në një sulm masiv me dronë ku mbetën të plagosur 30 persona, përfshirë fëmijë. Imazhe të postuara në rrjet treguan godina dhe automjete të përfshira nga flakët. U goditën gjithashtu edhe 2 qytete të tjera perëndimore, Lviv dhe Ivano-Frankivsk, ku u dëmtua infrastrukturë enegjetike dhe pati ndërprerje të energjisë.
Sulmet e reja vijnë një ditë pasi ushtria ukrainase tha se kishte lëshuar raketa amerikane me rreze të gjatë ATACMS kundër objektivëve ushtarake brenda Rusisë, hera e parë që e pranojnë përdorimin e tyre në tokën ruse.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi akuzoi Kievin për lëshimin e 4 prej këtyre raketave në qytetin jugor të Voronezh, por tha se ato ishin rrëzuar nga mbrojtja e tyre ajrore. (A2 Televizion)
