6 viktima dhe qindra fluturime të anuluara për shkak të motit të keq në të gjithë Europën

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 21:44 | Bota

6 viktima dhe qindra fluturime të anuluara për shkak të motit

Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e akullta të motit kanë shkaktuar ndërprerje të udhëtimit në të gjithë Europën, ndërkohë që 6 viktima janë raportuar në incidente të lidhura me motin në kontinent, raporton A2 CNN.

Pesë persona vdiqën në dy rajone të ndara të Francës si pasojë e kushteve të rrezikshme të drejtimit të automjeteve, thanë autoritetet, ndërsa një grua humbi jetën gjithashtu në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, pasi mbi qytet ra 40 cm borë.

Qindra fluturime janë anuluar në të gjithë Evropën, me mijëra të tjerë të bllokuar në aeroportet e Parisit dhe Amsterdamit. Ndërprerjet e fluturimeve pritet të vazhdojnë deri të mërkurën.

Ballkani ka parë gjithashtu reshje bore dhe shira të rrëmbyeshëm. Një grua vdiq në kryeqytetin boshnjak Sarajevë të hënën, pasi një pemë e rënduar nga bora e lagësht ra mbi të, tha policia, përcjell A2 CNN.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, tha se pritej më shumë borë në vend natën e së martës dhe të mërkurën. Ai u bëri thirrje njerëzve të udhëtojnë sa më pak të jetë e mundur në rrugë dhe të punojnë nga shtëpia.

Shërbimi kombëtar meteorologjik i Francës tha se 38 distrikte do të vendosen në alarm portokalli për borë dhe akull të mërkurën. Shumë shërbime treni u anuluan në disa pjesë të vendit, shkruan A2 CNN.

Në kryeqytetin e Francës, autoritetet thanë se aeroporti Roissy-Charles de Gaulle do të anulojë 40% të fluturimeve për disa orë të mërkurën në mëngjes, në mënyrë që stafi të mund të pastrojë borën nga pistat. Aeroporti Orly i kryeqytetit planifikoi të anulojë një të katërtën e fluturimeve të tij gjatë së njëjtës periudhë kohore.

Më shumë se 400 fluturime u anuluan në aeroportin Schiphol të Amsterdamit të mërkurën, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të planeve të udhëtimit.

Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar, shumë prej të cilëve nuk mundën të bashkoheshin me fluturimet lidhëse. Radhë të gjata u formuan në sportelet e linjave ajrore, ndërsa njerëzit prisnin informacion se kur do të rifillonin fluturimet.

Edhe udhëtimet hekurudhore u ndërprenë gjithashtu. Të martën në mëngjes, të gjitha shërbimet hekurudhore në Holandë u ndalën për një periudhë të shkurtër pas një ndërprerjeje të sistemit të teknologjisë së informacionit.

Disa trena filluan të qarkullonin pas orës 09:00 sipas orës lokale, por problemet vazhduan gjatë ditës. Shërbimet e Eurostar për në Paris nga Amsterdami ose u anuluan ose u vonuan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos