Udhëheqës botërorë iu bashkuan të hënën të mbijetuarave të Aushvicit për të përkujtuar 80-vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes së Gjermanisë naziste nga trupat sovjetike, shkruan A2 CNN. Në përvjetorin e shënuar në ish-kampin e ngritur nga Gjermania në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore për të vrarë hebrenjtë europianë, po marrin pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, mbreti Charles III i Britanisë së Madhe, presidenti francez Emmanuel Macron, ai polak Andrzej Duda dhe shumë të tjerë. Ata nuk pritet të mbajnë fjalime, por do të dëgjojnë, ndoshta për herë të fundit, dëshmitë e atyre që provuan në kurriz vuajtjet e një prej krimeve më të rënda në historinë e njerëzimit.
Rreth 50 të mbijetuar janë rikthyer në zonën ku përjetuan ferrin, për të vendosur kurora lulesh e qirinj, ndërsa disa prej tyre do të flasin më vonë. Presidenti Duda u tha gazetarëve në kamp se polakët janë gardianë të kujtesës. Përkujtimi i krimeve të kryera në emër të nocionit të nazistëve mbi superioritetin racor vjen teksa partitë e ekstremit të djathtë janë fuqizuar rreth Europës.
Të shtunën, miliarderi dhe këshilltari i Trump, Elon Musk, shpërndau një video-mesazh në të cilin shprehte mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD, e cila renditet e dyta në sondazhe për zgjedhjet e 23 shkurtit. Në platformën e kësaj partie është edhe minimizimi i fajit historik për Holokaustin.
Më shumë se 1.1 milion njerëz, kryesisht hebrenj, vdiqën në dhoma gazi ose nga uria, i ftohti dhe sëmundjet në Aushvic. Mbi 3 milion nga 3.2 milion hebrenjtë e Polonisë u vranë nga nazistët, gati gjysma e hebrenjve të ekzekutuar gjatë Holokaustit. (A2 Televizion)