Rusia zhvilloi paradën e Ditës së Fitores nën masa shumë të forta sigurie për shkak të rrezikut të sulmeve nga dronët ukrainas.
Parada e 9 majit në Sheshin e Kuq shënon fitoren e Bashkimit Sovietik ndaj Gjermanisë Naziste në luftën e dytë botërore si dhe ditë përkujtimore për 27 milionë qytetarët sovietik që humbën jetën duke përfshirë edhe ata ukrainas.
Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit në Sheshin e Kuq Rusia nuk paraqiti tanke dhe raketa balistike. Ata që marshuan ishin ushtarët të cilët kanë marrë pjesë në operacionin special si e quajnë rusët sulmin në Ukrainë.
Fuqia ushtarake e Rusisë u shfaq përmes një videoje në një ekran gjigand ku u përshirë raketat balistike interkontinentale Yars, nëndetësja bërthamore Arkhangelsk, sistemet antiraketore S 500, arma lazer Peresvet si dhe avionët Sukhoi 57.
Presidenti Vladimir Putin pasi përshëndeti sakrificën e Bashkimit Sovietik tha se Rusia është në anën e duhur dhe ata do të arrijnë të fitojnë.
“Sakrifica e brezit të fitimtarëve i frymëzon ushtarët që sot po kryejnë detyrat e operacionit special ushtarak. Ata po i rezistojnë një force agresive që është e armatosur dhe e mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s. Dhe pavarësisht kësaj, heronjtë tanë vazhdojnë të përparojnë. Ne kemi një qëllim të përbashkët. Të gjithë po japin kontributin e tyre personal prapa vijës së frontit. Jam plotësisht i bindur se kauza jonë është e drejtë, ne jemi bashkë, dhe fitorja gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë e jona.
Mes trupave ruse që marshuan në Sheshin e Kuq ishin dhe ato Koreano Veriore që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë. Kryeministri i Sllovakisë Fico ishte i vetmi drejtues shteti nga vendet e Natos që mori pjesë në paradë. Me ndërmjetësimin e Presidentit Donald Trump Rusia dhe Ukrainë kanë arritur një armpushim 3 ditor si dhe u dakordësuan për shkëmbimin e 1000 robërve të luftës. (A2 Televizion)