
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Europa është e vendosur të ruajë funksionimin e aleancës së NATO-s, pavarësisht tensioneve në rritje me presidentin amerikan lidhur me luftën ndaj Iranit.
Gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, Merz theksoi se vendet europiane dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin transatlantik dhe të mbajnë të fortë aleancën ushtarake.
“Ne jemi vërtet të gatshëm ta mbajmë gjallë këtë aleancë edhe në të ardhmen”, u shpreh ai.
Sipas kancelarit gjerman, dallimet mes Europës dhe SHBA-së janë bërë më të dukshme pasi Gjermania dhe disa vende të tjera europiane refuzuan të mbështesin luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Megjithatë, Merz nënvizoi se të dyja palët ndajnë të njëjtin objektiv strategjik: parandalimin e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
“Ne e dimë se ka dallime. E dimë se po përballemi me sfida, por qëllimi ynë përfundimtar është t’i japim fund këtij konflikti dhe të garantojmë që Irani të mos jetë në gjendje të prodhojë armë bërthamore”, tha ai.
(A2 Televizion)