
Policia në qytetin e Nju Jorkut ka arrestuar rreth 90 protestues në Manhattan, pasi ata bllokuan trafikun për të protestuar kundër luftës në Iran dhe shitjes së armëve nga SHBA-ja për Izraelin.
“Jewish Voice for Peace”, grupi që udhëhoqi protestën, tha se mes të arrestuarve ishin sinjalizuesja Chelsea Manning, aktorja Hari Nef dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Alexa Aviles.
Sipas agjencisë së lajmeve The Associated Press, turma prej qindra personash fillimisht u përpoq të organizonte një protestë ulur (sit-in) brenda zyrave në Manhattan të liderit demokrat të Senatit, Chuck Schumer, dhe senatores Kirsten Gillibrand, të cilët i akuzuan për mbështetje të sulmeve në rritje të Izraelit në Liban dhe luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Pasi sigurimi i ndaloi protestuesit të hynin në ndërtesë, ata bllokuan trafikun jashtë, duke brohoritur “Financoni njerëzit, jo bombat!”, ndërsa u arrestuan dhe u dërguan me tre autobusë. (A2 Televizion)