“Bën mirë të mbajë një pako me bateri”... Kanadaja kërcënon Trump me “fikjen e dritave”, përshkallëzohet lufta tregtare

Nga A2 CNN
24 Gusht 2026, 20:41 | Bota

“Bën mirë të mbajë një pako me bateri”...

Kanadaja kërcënon të ndërpresë eksportet e energjisë elektrike drejt Shteteve të Bashkuara, duke e përshkallëzuar në një tjetër nivel përplasjen tregtare mes dy vendeve.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, paralajmëroi se provinca mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për SHBA-në nëse administrata e Donald Trump vazhdon të rrisë presionin ekonomik ndaj Kanadasë.

Ford deklaroi se Ontario duhet të jetë e gatshme të përdorë “gjithçka që ka në dispozicion” për t’iu kundërpërgjigjur politikave amerikane. Ai theksoi se provinca furnizon me energji rreth 1.5 milionë shtëpi dhe biznese në SHBA, ndërsa paralajmëroi Trump-in: “Bën mirë të mbajë një pako me bateri”.

Deklaratat u bënë pasi Trump njoftoi rritjen e tarifave ndaj automjeteve, pjesëve të automjeteve dhe çelikut kanadez në 50 për qind, masë që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar.

Trump iu përgjigj Fordit përmes një postimi në Truth Social, duke i cilësuar deklaratat e tij si “blof” dhe duke argumentuar se SHBA-ja ka mbajtur Kanadanë ekonomikisht për dekada. Presidenti amerikan tha gjithashtu se SHBA-ja është “më e madhe, më e pasur dhe më e fuqishme” se Kanadaja.

Përplasja nuk kufizohet vetëm te energjia. Ford paralajmëroi gjithashtu se Ontario mund të kufizojë furnizimin e SHBA-së me minerale kritike, duke thënë se amerikanët mund të mos marrin “as edhe një kokërr rërë” nga provinca.

Kanadaja furnizoi rreth 5 për qind të energjisë elektrike të New England-it në vitin 2024, ndërsa gjatë muajve të dimrit pjesa e furnizimit kanadez ka arritur deri në rreth 15 për qind.

Në qendër të konfliktit janë edhe zinxhirët e furnizimit të industrisë së automjeteve. Fabrikat kanadeze dhe amerikane janë të lidhura ngushtë, me pjesë që mund të kalojnë disa herë kufirin përpara se një automjet të përfundojë prodhimin. Ford akuzoi Trump-in se po përpiqet të dobësojë industrinë kanadeze dhe të zhvendosë prodhimin drejt SHBA-së.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney ka paralajmëruar masa hakmarrëse. Kanadaja pritet të vendosë më 8 shtator tarifa ndaj produkteve amerikane, përfshirë çelikun, produktet e qumështit, pajisjet bujqësore dhe mallra të tjera.

Carney u tërhoq nga negociatat me Uashingtonin javën e kaluar pasi administrata amerikane kërkoi koncesione që Ottawa i konsideroi të papranueshme dhe si çështje të sovranitetit kombëtar.

Doug Ford, i cili e përshkroi politikën e Trumpit si një “luftë ekonomike” kundër aleatit më të afërt të SHBA-së, megjithatë bëri thirrje që negociatat të vazhdojnë.

Përplasja mes dy vendeve fqinje tashmë po prek sektorë strategjikë si energjia, industria automobilistike dhe mineralet kritike, duke rritur rrezikun e një lufte tregtare me pasoja për të dyja ekonomitë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos