
Izraeli ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime të ashpra ndaj çdo tentative për të lëshuar balona apo dronë nga Rripi i Gazës drejt territorit izraelit. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të hënën se do të ketë masa për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Paralajmërimi erdhi pasi disa balona u gjetën gjatë ditëve të fundit pranë komuniteteve izraelite përgjatë kufirit me Gazën. Katër prej tyre u gjetën në kibucin Nahal Oz, rreth 800 metra nga kufiri, ndërsa të tjera u raportuan në zona të ndryshme të jugut të Izraelit, përcjell A2 CNN.
Sipas ushtrisë izraelite, balonat nuk kishin materiale të dyshimta apo eksplozivë dhe nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë. Megjithatë, autoritetet izraelite dyshojnë se pas tyre mund të jetë Hamasi dhe se përdorimi i tyre mund të ketë qenë një mënyrë për të testuar reagimin e Izraelit.
Katz deklaroi se do të ketë “zero tolerancë” ndaj këtyre rasteve, pavarësisht nëse balonat mbartin eksplozivë apo jo.
Hamasi ka mohuar përgjegjësinë dhe ka thënë se balonat janë lodra të fëmijëve në kampet e të zhvendosurve. Organizata e akuzoi Izraelin se po përdor incidentin si pretekst për të vazhduar sulmet në Gaza. (A2 Televizion)