Lufta Izrael-Palestinë, konflikti në Lindjen e Mesme dhe së fundmi lufta Izrael-Hamas e kështu me radhë të tilla do të ishin titujt e kronikave që nga vitet ‘70 kur televizionet filluan të raportonin më shpesh ngjarjet që shoqëronin atë se çfarë po ndodhte në atë pjesë të botës.
Një samit për paqen u zhvillua në Paris këto ditë dhe pikërisht tema ishte një qetësim i situatës shpërthyese në Lindjen e Mesme, me atë që po quhet lufta mes Izraelit dhe Hamasit palestinez. Por liderët e Europës e kishin të vështirë të përdornin edhe termin armëpushim e jo më të flisnin për paqe apo për ndalim të konfliktit, e më tej akoma, për një zgjidhje të tij përfundimtare.
Pikërisht për një zgjidhje përfundimtare do të flitej edhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1947, teksa kishte filluar një lëvizje për të krijuar shtetin izraelit.
A2 CNN ka siguruar raportin sekret që ka përpiluar CIA amerikane aso kohe, e cila është deklasifikuar para disa kohesh dhe në këtë dokument tepër sekret që ne e kemi ekskluzivisht në dorë, bëhet një analizë me detaje e situatës që po galvanizohet në Lindjen e Mesme, teksa po përgatitej një shtet izraelit.
Raporti i Inteligjencës amerikane shumëfaqësh parashikon pothuaj çdo lëvizje në botë pas këtij veprimi që do të ndërmerrej në OKB, si do të angazhoheshin forcat e mëdha, cilën palë do të mbështeste Bashkimi Sovjetik, si preken interesat amerikane në atë rajon, si ekonomike ashtu edhe politike, sa ushtarë ka secila palë dhe nga do t’i merrnin armatimet? Cilat janë organizatat izraelite që punonin ndërkohë për shtetin e tyre dhe cilat nuk e mbështesnin këtë shtet, por që ishin po hebreje? E kështu me radhë deri te konkluzionet përfundimtare, të cilat rastisën të ishin shumë të sakta.
Në vijim gjeni një përmbledhje të këtij dokumenti tepër sekret të asaj kohe dhe parë në dritën e kësaj lufte po në atë zonë, shumica e fakteve marrin jetë edhe njëherë me pothuaj të njëjtën forcë apo në të njëjtën kontekst edhe sot që flasim për rindezjen e po atij konflikti me të njëjtat pretendime.
Që në fjalinë e parë të dokumentit sekret të CIA-s, paralajmërohet rreziku që nëse ndarja e Palestinës do të ndodhte, do të niste një luftë mes arabëve dhe hebrenjve. Në fakt, parashikimi do të ishte tepër i saktë. Përkundër këtij rreziku, vlerësohet se Organizata e Kombeve të Bashkuara do të rekomandonte ndarjen e Palestinës dhe për ta mbështetur atë do të siguronte dy të tretat e votave. Ndarjen, thekson raporti i CIA-s, do ta çonte përpara përmes fuqive të mëdha, që do të kryenin funksionin e instrumenteve për të vulosur suksesin e krijimit të dy shteteve. Por dokumenti sekret, parashikonte që arabët do ta kundërshtonin ashpër formimin e një shteti hebre në Palestinë. Arabët, sipas CIA-s, besonin atëkohë se Palestina është pjesë integrale e botës Arabe. Arsyetimi i tyre ishte se jo vetëm nga ana politike, por edhe kulturore, shteti hebre kërcënon zhvillimin e vazhdueshëm të civilizimit islamo-arab. Megjithatë nënvizohet borxhi që i kishte bota arabe- OKB-së për mbështetjen e pavarësisë së shteteve të tyre, dhe për këtë nuk do të rrezikohej prishja apo shkëputja e raporteve me OKB-në.
Në dokumentin sekret të CIA-s, shpjegohen me detaje se si do të zhvillohej lufta mes hebrenjve dhe arabëve palestinezë. Tërheqja e britanikëve do të ishte një faktor i rëndësishëm në luftime. Përleshja e armatosur do të ishte kryesisht në formën e një guerrilje. Inteligjenca amerikane vlerësonte në ’47 se arabët palestinezë do të kishin 3 burime kryesore për luftëtarë: organizatat thuajse ushtarake vendase, ushtarë vullnetarë nga shtetet Arabe dhe burimi i tretë dhe ai kryesori do të ishte nga tributë, fiset e ndryshme arabe dhe beduinët. Numri i njerëzve nën armë për palestinezët do të arrinte nga 100 deri në 200 mijë, nga të cilët vetëm 33 mijë vlerësoheshin luftëtarë vendas. Ndikimi i fesë islame konsiderohet përcaktues për të orientuar ndihmën që do të duhej të vinte nga shtetet arabe, kryesisht Siria dhe Libani, por edhe Egjipti. Armatimet dhe trajnimet ushtarake për palestinezët do të vinin kryesisht nga bota arabe. Në anën tjetër, CIA e konsideronte më serioze dhe të kompletuar fuqinë luftuese të sionistëve dhe hebrenjve. Kryesisht do të bazohej në njerëzit që do të ktheheshin nga Europa ose në vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Forca e hebrenjve do të përbëhej nga 3 grupime: Hagana, thënë ndryshe ushtria sioniste, Zvai Leumi dhe Banda Stern, me këto dy të fundit që konsiderohen nga CIA si “grupe ilegale dhe terroriste që angazhohen në misione sabotazhi dhe vrasje”. Rreth 200 mijë vlerësohet numri i personave që do të luftonin për një shtet hebre në Palestinë. Parashikimi i vetëm i gabuar në këtë raport, ishte ai që luftëtarët hebrenj do të përballonin forcat arabe vetëm për dy vite, pavarësisht se aty përmendet edhe fakti se gjërat në terren varionin nga ndihmat nga jashtë që do të merrnin palët.
Në ’47 CIA raportonte se ekzistonte një sistem i organizuar mirë për transportimin e hebrenjve nga Europa lindore, përmes Ballkanit për në Palestinë. Rumania dhe Bullgaria janë dy vendet më aktive në këtë drejtim përmes Detit të Zi. Pikërisht në këtë kohë të gjitha vendet evropiane që kishin hebrenj në territorin e tyre nuk I pëlqenin praninë e tyre dhe Rusia ishte e para që i grumbulloi për ti përcjellë me anije, Anglia gjithashtu nuk I preferonte në tokën e saj, dhe lëvizja sioniste u erdhi për shtat në këtë moment për të krijuar një shtet diku larg Europës ndaj edhe u mbështet nga Europa. Ndërsa, Franca, Belgjika dhe Çekosllovakia janë burimi kryesor i furnizimit me armë për hebrenjtë, theksonte inteligjenca amerikane. Megjithatë raportohen edhe dyshimet e Anglisë se në fund të anijeve të mbushura me emigrantë, që niseshin nga Rumania me ndihmën e rusëve, kishte armatime të shumta. Një fakt interesant që nxirrej në pah nga CIA, ishte ai që lëvizja sioniste ishte shumë e fuqishme në Shtetet e Bashkuara, por organizatat që i përfaqësonin aspiratat për një shtëpi hebreje, nuk lobonin për një shtet të pavarur Hebre në Palestinë. Megjithatë kishte vlerësime që forcat e armatosura hebreje do të merrnin mbështetje nga organizata private amerikane. Në dokumentin sekret, përmendet edhe roli sovjetik në konflikt. CIA thotë se kishte prova që agjentët europianë të hebrenjve janë trajnuar dhe ndihmuar nga Bashkimi Sovjetik në ’47. “Sovjetikët me shumë mundësi furnizojnë në fshehtësi me armë arabët, po ashtu edhe hebrenjtë, në një përpjekje për të krijuar kaos në Lindjen e Afërt. Madje, nënvizohet fakti që agjentet sovjetikë kanë vite që janë të shpërndarë në Lindje të Mesme dhe po bëjnë propagandë për shtete demokratike në thonjëza, por që e gjithë politika e tyre shkon kundër Amerikës dhe politikës së saj në rajon. Sipas CIA-s, qëllimi i Bashkimit Sovjetik në Palestinë ishte të largonte britanikët, të mbante situatën të pazgjidhur.
Në raportin e saj sekret, CIA vlerësonte se pasojat për Amerikën në Lindje do të lidheshin kryesisht me interesin e saj kryesor, industrinë e naftës. Fillimisht thuhet se prestigji i SHBA-ve në botë do të binte për shkak të mbështetjes për sionistët, por vendet arabe nuk do të anulonin kontratat për nxjerrjen e pasurive nëntokësore, duke theksuar faktin se kështu do të humbisnin përfitimet e tyre financiare. Thuhet se tubacionet e naftës në shkretëtirë do të sulmoheshin vazhdimisht nga bandat e vogla arabe. Një tjetër interes amerikan në Lindjen e Mesme që do të prekej ishte dhe ai tregtar. CIA shkruante në ’47 se pritej një bojkot arab, edhe pse i pjesshëm, do të funksiononte si një frenim I projekteve për përmirësimin e standardit të jetesës dhe do të krijonte një destabilitet të përgjithshëm në rajon. Kjo do të reduktonte madhësinë e investimeve amerikane dhe përhapjen e dollarit si dhe aftësinë e vendeve arabe për të blerë nga SHBA-të. CIA nënvizonte frikën se duke marrë shkas nga kjo ftohje, vendet e tjera do të përfitonin duke përkeqësuar dhe më tej raportet.
CIA në raportin sekret të 76 viteve më parë, parashikonte se sionistët, edhe me vendosjen e një shteti, nuk do të ngopeshin me pak, por do të kërkonin të gjithë territorin. “Ekstremistët kërkojnë jo vetëm të gjithë Palestinën, por edhe Transjordaninë gjithashtu”, nënvizon CIA. Paralajmërohej se nuk do të pranonin asnjë shtet hebre për më pak territor se aq dhe do të bënin veprime tepër agresive për të arritur synimin e tyre. Madje për të mbështetur këtë, sionistët do të përdorin propagandë të fuqishme në vendet europiane dhe në Amerikë.
Në konkluzione, gjithçka përkon në mënyrë perfekte me realitetin dhe atë që ka ndodhur prej 76 vitesh. Parashikimet u përmbushën një vit më pas me ndarjen e Palestinës dhe krijimin e shtetit hebre, të njohur tashmë si Izraeli. Të gjitha aksionet si ushtarake ashtu edhe politiko-ekonomike pothuaj ndodhen, por kaq vite më pas historia po përsëritet pak a shumë me të njëjtin skenar dhe njësoj si atëherë edhe sot fuqitë e mëdha, përfshi kësaj here, Bashkimin Europian, qe aso kohe nuk ekzistonte, po llogarisin pasojat e asaj që nisi në 7 tetor me një sulm të Hamasit mbi civilët në Izrael.
Përpjekjet kësaj here janë në dukje për një armëpushim, por nuk ka patur asnjë efekt madje fjala armëpushim apo tërheqje e Izraelit apo dhune nuk përmenden fare në adresë të Izraelit. Samitet e paqes që po mbahen, në fakt përfundojnë të gjitha me dështim. (A2 Televizion)