Afganistani zhytet në terr, talebanët ndërpresin internetin

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 10:47 | Bota

Afganistani zhytet në terr, talebanët ndërpresin internetin

Qeveria talebane në Afganistan ka vendosur të ndërpresë telekomunikacionin në të gjithë vendin, disa javë pasi ata filluan të ndërpresin lidhjet e internetit me fibra optike për të parandaluar atë që e quajnë "imoralitet".

Sipas organizatës Netblocks, vendi aktualisht është në një gjendje errësire të plotë sa i përket aksesit në internet. Agjencitë ndërkombëtare raportuan se kishin humbur kontaktin me zyrat e tyre në kryeqytetin Kabul, teksa interneti celular dhe televizioni satelitor u ndërprenë gjithashtu në të gjithë Afganistanin.

Që kur morën pushtetin në vitin 2021, talebanët kanë futur një sërë kufizimesh në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit. Një zyrtar taleban tha se mbyllja e telekomunikacionit do të zgjasë deri në njoftim të mëtejshëm.

Mediat lokale raportuan se fluturimet nga aeroporti i Kabulit u ndërprenë gjithashtu. Sipas të dhënave nga platforma Flightradar24, të paktën tetë fluturime të planifikuara për të martën si në nisje ashtu edhe në mbërritje u anuluan.

Banorët e Kabulit i thanë BBC-së se lidhjet e tyre optike ndaluan së punuari në fund të ditës së punës, rreth orës 5 pasdite sipas orës lokale. Si pasojë, shkalla e vërtetë nuk pritet të shihet deri të martën në mëngjes, kur rifillojnë shërbimet bankare dhe shërbimet e tjera të biznesit.

Kabllot me fibra optike janë thelbësore për transmetimin e të dhënave me shpejtësi të lartë dhe formojnë themelin e infrastrukturës globale të internetit. Përdoruesit e internetit në disa provinca afgane kanë raportuar qasje të ngadaltë në rrjet ose ndërprerje për javë të tëra.

Talebanët më parë njoftuan krijimin e një "rruge alternative" për të aksesuar internetin, por pa dhënë detaje. Në atë kohë, biznesmenët paralajmëruan se vazhdimi i ndalimit të internetit do të kërcënonte seriozisht aktivitetet e tyre.

Hamid Haidari, ish-kryeredaktor i 1TV, tha pas mbylljes së rrjetit se “vetmia ka përfshirë të gjithë vendin". "Afganistani tani zyrtarisht ka zënë vendin e parë në garën e ndërprerjes së internetit duke ia kaluar Koresë së Veriut", shkroi ai në rrjetin ‘X’.

Ish-parlamentarja afgane, tani në SHBA, Mariam Solaimankhil tha se "heshtja në internet, pa dëgjuar se çfarë po ndodh në Afganistan, është shurdhuese".

Ky është ndalimi i fundit në një seri ndalimesh që talebanët kanë zbatuar që kur janë rikthyer në pushtet. Më herët këtë muaj, ata hoqën libra të shkruar nga gratë, si pjesë e një ndalimi të ri që ndali gjithashtu kurset mbi të drejtat e njeriut dhe ngacmimin seksual. Gratë dhe vajzat janë veçanërisht të prekura pasi tani atyre ju privohet arsimimi pas moshës 12 vjeç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos