Kur doli në publik për herë të parë pas pesë vitesh, në tetor, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Hosseini Khamenei, dha një mesazh të pakompromis. Izraeli “nuk do të zgjasë shumë”, tha ai para dhjetëra mijëra mbështetësve në një predikim të së premtes në një xhami në Teheran.
“Duhet të ngrihemi kundër armikut duke forcuar besimin tonë të palëkundur”, u tha ai të pranishmëve. Khamenei ishte 84 vjeç.
Vetëm disa ditë më parë, Izraeli kishte vrarë Hassan Nasrallahin, sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut, me bomba masive në selinë e këtij grupi në Bejrut. Vrasja ishte një goditje personale për Khamenein, që kishte një lidhje të vjetër me Nasrallahin.
Ofensiva ajrore izraelite ndaj Iranit, e nisur të premten, ishte një tjetër tronditje për regjimin, shkruan A2 CNN. Ajo nxiti reagime të ashpra nga Teherani, përfshirë një breshëri raketash dhe dronësh drejt Tel Avivit. Megjithatë, as kundërpërgjigjja e Iranit nuk duket se do të ndalë sulmet izraelite. Mbrojtja ajrore iraniane po tregohet e pafuqishme dhe aleanca e milicive islamiste që Khamenei kishte ndërtuar si mekanizëm frikësimi ndaj Izraelit duket se është shkatërruar.
Khamenei tani ka pak mundësi në dispozicion, një situatë që ky revolucionar i kujdesshëm, pragmatist, konservator dhe i pamëshirshëm gjithmonë është përpjekur ta shmangë.
Prejardhja dhe aktivizmi i hershëm
I lindur si biri i një kleriku modest në qytetin e shenjtë të Mashhadit në lindje të Iranit, Khamenei ndërmori hapat e parë si radikal në klimën politike të ndezur të fillimviteve 1960. Në atë kohë, Shah Mohammad Reza Pahlavi kishte nisur një projekt të gjerë reformash që u kundërshtua gjerësisht nga klerikët konservatorë të vendit.
Si student fetar në Qom, një qendër e rëndësishme e teologjisë shiite, Khamenei u ndikua nga tradita fetare dhe nga idetë radikale të udhëheqësit në rritje të opozitës, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Deri në fund të viteve 1960, ai kryente misione të fshehta për Khomeinin, tashmë në mërgim, dhe organizonte rrjete të aktivizmit islamik.
Ndikimet ideologjike dhe lidhjet me Lindjen dhe Perëndimin
Edhe pse adhurues i letërsisë europiane, në veçanti i Tolstoit, Victor Hugos dhe Steinbeckut, Khamenei u përfshi gjithashtu në ideologjitë anti-kolonialiste të kohës, si edhe në ndjesinë e përhapur anti-perëndimore. Ai përktheu në persisht vepra të Sayyid Qutb, mendimtar egjiptian që do të frymëzonte breza ekstremistësh islamikë, dhe u ndikua nga autorë që kritikonin “perëndimizimin” e shoqërisë iraniane.
I arrestuar disa herë nga shërbimet sekrete të Shahut, Khamenei arriti gjithsesi të marrë pjesë në protestat masive të vitit 1978, të cilat e detyruan atë të largohej dhe mundësuan rikthimin e Khomeinit.
Ngjitja në pushtet dhe roli si president
Si njeriu i preferuar i Ajatollah Khomeinit, Khamenei u ngrit shpejt në strukturat e regjimit të ri islamik pas revolucionit. Më 1981, pas një atentati që i la të paralizuar një krah, ai u zgjodh president, një post atëherë kryesisht ceremonial.
Emërimi si udhëheqës suprem
Pas vdekjes së Khomeinit më 1989, Khamenei u përzgjodh si pasardhës, pasi Kushtetuta u ndryshua për të lejuar një figurë me më pak grada klerikale të marrë rolin më të lartë. Me pushtet shumë më të zgjeruar se paraardhësi, ai shpejt e konsolidoi kontrollin mbi aparatin e fragmentuar të shtetit iranian.
Një nga shtyllat kryesore të pushtetit të tij u bë Trupa e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një forcë ushtarake, shoqërore dhe ekonomike shumë e fuqishme. Por Khamenei, gjithnjë pragmatist, krijoi aleanca edhe me fraksione të tjera të fuqishme.
Reformat, represioni dhe politikat e jashtme
Në vitet 1990, ai forcoi më tej kontrollin, duke eliminuar rivalët dhe shpërblyer besnikët. Edhe poetët që dikur admironte u përndoqën nga shërbimet sekrete. Kundërshtarët jashtë vendit u eliminuan fizikisht. Marrëdhëniet me Hezbollahun u konsoliduan.
Kur më 1997, reformisti Mohammad Khatami fitoi presidencën, Khamenei i lejoi njëfarë autonomie, por nuk lejoi që ideologjia e regjimit të cenohej. Në fund të viteve 1990 dhe pas sulmeve të 11 Shtatorit, ai nuk pengoi përpjekjet për afrim me SHBA-në dhe ndoqi shembullin e Khomeinit në refuzimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Megjithatë, ai mbështeti përpjekjet e IRGC për të dëmtuar forcat amerikane në Irak pas pushtimit të vitit 2003, dhe për të zgjeruar ndikimin iranian në rajon, duke përdorur proxy-t si mjet presioni ndaj Izraelit.
Aksi i rezistencës dhe kostoja strategjike
Khamenei investoi rëndë në të ashtuquajturin aks i rezistencës: Hamas në Gaza, Hezbollah në Liban, lëvizja Houthi në Jemen dhe milicitë shiite në Siri e Irak. Megjithatë, kjo strategji duket se po shembet nën sulmet intensive izraelite. Aleanca me Sirinë mori fund me rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor.
Stili i jetës dhe fundi i një epoke
Duke jetuar në një kompleks të thjeshtë me familjen në rrugën Palestinë në Teheran, Khamenei ka insistuar gjithmonë për mënyrën e tij modeste të jetesës. Sidoqoftë, disa e kanë vënë në dyshim këtë imazh, duke e quajtur propagandistik. Megjithatë, reputacioni i tij për modestinë ka shërbyer si mburojë ndaj pakënaqësisë popullore.
Për më shumë se tre dekada në pushtet, Khamenei ka lundruar mes presioneve të brendshme dhe të jashtme për të ruajtur trashëgiminë e Khomeinit dhe pushtetin e vet.
Tani, me shëndet të përkeqësuar dhe në moshë të thyer, përballë krizave të rënda të brendshme dhe humbjes së ndikimit rajonal, Khamenei përballet me sfidën më të madhe të jetës së tij. Ekuilibri brutal që ka ndërtuar me aq kujdes për dekada, mund të jetë drejt fundit. (A2 Televizion)