Presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar vendimin për vendosjen e tarifave tregtare ndaj dy vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Të dy vendet do të përballen me një tarifë prej 25% që nga 1 gushti, tha Trump në postimet në Truth Social. Fillimisht, Trump u dërgoi një letër të dyja vendeve duke i lajmëruar për një fakt të tillë, shkruan A2. Letra të ngjashme iu dërguan Malajzisë, Kazakistanit, Afrikës së Jugut, Mianmarit dhe Laosit, duke i informuar udhëheqësit e tyre për tarifat e reja deri në 40%.
Në dy letrat pothuajse identike të dërguara Japonisë dhe Koresë së Jugut, Trump tha se ai e ka problem të veçantë me deficitet tregtare që Shtetet e Bashkuara kanë me to, që do të thotë se Amerika blen më shumë mallra prej andej krahasuar me sasinë që bizneset amerikane eksportojnë në ato vende.
“Ju lutem, kuptoni që numri prej 25% është shumë më i vogël se sa nevojitet për të eliminuar hendekun e deficitit tregtar që kemi me vendin tuaj”, thotë Trump në të dyja letrat.
Ai i inkurajoi të dy vendet të prodhojnë mallra në Shtetet e Bashkuara për të shmangur tarifat: “Nëse doni të hapni tregjet tuaja të mbyllura për Shtetet e Bashkuara, të eliminoni tarifat dhe barrierat tregtare jotarifore, ndoshta mund të shqyrtojmë përshtatjen e kësaj letre. Këto tarifa mund të përshtaten, lart ose poshtë, bazuar në marrëdhënien tonë me vendin tuaj. Ju kurrë nuk do të zhgënjeheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Menjëherë pas vendimeve, aksionet e kompanive të automobilave që kanë një prani të madhe prodhuese në Japoni dhe Korenë e Jugut ranë ndjeshëm. Aksionet e Nissan Motors të listuara në bursën amerikane ranë mbi 7%, ndërsa aksionet e Toyota dhe Honda ranë me 4%.
Aksionet amerikane, të cilat tashmë po binin, ranë më poshtë pasi u njoftuan tarifa të tjera. Indeksi Dow ra me 667 pikë, ose 1.48%. S&P 500 ra me 1.19% dhe Nasdaq ra me 1.27%. (A2 Televizion)