Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian duhet të tregojë forcë në bisedimet tregtare që po zhvillohen me Shtetet e Bashkuara.
Të njëjtën gjë ajo e theksoi edhe në raport me Kinën dhe Rusinë, shkruan A2.
Von der Leyen do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian të enjten, në sfidën e fundit ndaj Presidentes së Komisionit Evropian. Do të jetë hera e parë që nga viti 2014 që kryetarja e Komisionit përballet me një veprim të tillë.
“E di që nuk biem gjithmonë dakord për çdo detaj të çdo propozimi që ka bërë ky kolegj dhe nuk mund të premtoj se do të biem gjithmonë dakord për gjithçka në të ardhmen. Por, ajo që mund të premtoj është se do të jemi gjithmonë të gatshëm të punojmë për kompromis dhe të punojmë për unitet. Kur Komisioni të ulet me Shtetet e Bashkuara për të negociuar mbi tregtinë dhe tarifat, Evropa duhet të tregojë forcë. Kur ne mbrojmë të ardhmen e Ukrainës, Evropa duhet të tregojë forcë. Kur shkojmë në Kinë për të mbrojtur interesat tona, Evropa duhet të tregojë forcë. Dhe kjo forcë vjen vetëm përmes unitetit tonë. Pra, le të bashkohemi. Le të vazhdojmë të japim rezultate për Evropën. Rroftë Evropa. Faleminderit shumë”, tha Ursula von der Leyen. (A2 Televizion)