Alarm në mes të oqeanit: Virusi vdekjeprurës godet anijen turistike, bota në alarm

Nga Rosalba Bejdo
6 Maj 2026, 22:11 | Bota

Një anije turistike në mes të Atlantikut është shndërruar në një vatër të papritur alarmi shëndetësor. Tre persona kanë humbur jetën, disa të tjerë janë të infektuar, ndërsa dhjetëra pasagjerë mbeten të izoluar në det, mes pasigurisë dhe frikës.

Bëhet fjalë për një shpërthim të dyshuar të hantavirusit – një virus i rrallë, por potencialisht vdekjeprurës, që zakonisht lidhet me brejtësit dhe shumë rrallë me përhapjen mes njerëzve.

Anija “MV Hondius”, e operuar nga Oceanwide Expeditions, po udhëtonte nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër, kur u shfaqën rastet e para.

Një çift holandez dhe një shtetase gjermane janë viktimat e para të kësaj ngjarjeje, ndërsa një 69-vjeçar britanik ndodhet në gjendje kritike në Afrikën e Jugut.

Në bord ndodhen ende 149 persona nga 23 vende të botës.

Gjithçka nisi më 6 prill, kur një pasagjer holandez shfaqi simptomat e para: temperaturë, dhimbje koke dhe probleme gastrointestinale.

Vetëm pak ditë më vonë, gjendja e tij u përkeqësua me probleme respiratore dhe ai ndërroi jetë.

Bashkëshortja e tij, që fillimisht kishte simptoma më të lehta, u përkeqësua gjatë një fluturimi drejt Johannesburgut dhe humbi jetën një ditë më pas. Analizat konfirmuan: hantavirus.

Ndërkohë, një tjetër pasagjer u transportua me urgjencë në spital dhe rezultoi pozitiv.

Daniel Bausch: “Ky është një zhvillim shqetësues, fatkeqësisht, për njerëzit që ndodhen në këtë anije turistike. Ne e dimë që anijet turistike dhe çdo situatë ku shumë njerëz grumbullohen në hapësira të vogla, gjithmonë mbartin rrezikun e përhapjes nga njeriu tek njeriu të patogjenëve të ndryshëm. Dhe hantavirusi, me sa duket, duhet t’i shtohet listës së sëmundjeve që potencialisht mund të merren në një anije turistike. Por nuk do të jetë një fenomen i zakonshëm dhe nuk është diçka për të cilën popullsia në përgjithësi duhet të shqetësohet. Nëse keni një biletë për një udhëtim të tillë, nuk mendoj se duhet ta anuloni. Tani thjesht dimë që është e mundur, edhe pse shumë e rrallë.”

Ekspertët thonë se këto infeksione janë të rralla dhe zakonisht nuk përhapen nga njeriu tek njeriu. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: virusi Andes, i identifikuar kryesisht në Amerikën e Jugut.

Dhe fakti që kjo anije u nis pikërisht nga Argjentina, ngre dyshime të forta mbi burimin e mundshëm të infeksionit.

Daniel Bausch: “Janë infeksione relativisht të rralla. Dhe një nga karakteristikat për shumicën, por jo për të gjithë hantaviruset, është se zakonisht nuk përhapen nga njeriu te njeriu. Ato transmetohen nga brejtësit tek njerëzit. Por ekziston një virus i quajtur virusi Andes, që është një lloj i hantavirusit, i cili, siç e tregon edhe emri, është identifikuar në Argjentinë dhe Kili. Dhe megjithëse nuk është e zakonshme, ka prova që ky lloj hantavirusi mund të transmetohet nga një person tek tjetri. Prandaj është domethënëse që kjo anije turistike e nisi udhëtimin nga Argjentina, ku – megjithëse ende nuk e dimë – ky virus mund të jetë i përfshirë.”

Por çfarë është në të vërtetë hantavirusi?

Ai transmetohet kryesisht nga brejtësit – përmes urinës, feçeve apo pështymës së tyre, që mund të bëhen grimca në ajër dhe të thithen nga njerëzit. Në raste të rralla, mund të transmetohet edhe përmes kafshimeve.

Daniel Bausch: “Siç e përmenda, virusi hyn tek njerëzit përmes kontaktit me jashtëqitjet e brejtësve, urinën apo feçet e tyre. Pasi hyn në trup, ai shumëzohet në qarkullimin e gjakut. Por organet që sulmon më agresivisht janë zemra dhe mushkëritë. Prandaj shohim që pacientët zhvillojnë në thelb një formë pneumonie, ose grumbullim lëngu në mushkëri. Dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt.”

Virusi mund të shkaktojë dy forma të rënda sëmundjeje. E para është sindroma pulmonare – që nis me simptoma të zakonshme, por mund të përshkallëzohet shpejt në vështirësi serioze në frymëmarrje, me një shkallë vdekshmërie rreth 38%.

Forma e dytë prek veshkat dhe mund të çojë në hemorragji dhe dështim akut.

Anijet turistike konsiderohen prej kohësh si mjedise me rrezik për përhapjen e sëmundjeve, për shkak të hapësirave të mbyllura dhe kontaktit të afërt mes njerëzve. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk është një situatë që duhet të shkaktojë panik global.

Daniel Bausch: “Kjo nuk është COVID-i i radhës. Nuk do të jetë një shpërthim i madh. Nuk ka asnjë arsye që njerëzit e zakonshëm në botë të bien në panik. Sigurisht, nëse ndodhesh në atë anije, situata është shumë shqetësuese, sepse ende nuk e dimë plotësisht zinxhirin e transmetimit. Edhe kur ta kuptojmë, është e vështirë të thuhet me saktësi, por hantaviruset kanë – ose mund të kenë – një periudhë inkubacioni relativisht të gjatë. Periudha e inkubacionit është koha nga momenti kur ekspozohesh ndaj virusit deri kur sëmuresh. Dhe për hantaviruset, në raste ekstreme, kjo mund të zgjasë deri në gjashtë javë. Kjo është shqetësuese, sepse kemi një grup njerëzish që potencialisht janë ekspozuar dhe nuk kemi asnjë mënyrë për ta ditur me siguri nëse janë infektuar.”

Pra, nuk bëhet fjalë për një pandemi të re. Por për ata që ndodhen në bord, situata është shumë reale. Periudha e inkubacionit të virusit mund të zgjasë deri në 6 javë – çka do të thotë se edhe personat pa simptoma mund të jenë të ekspozuar.

Daniel Bausch: “Pyetja është: çfarë bëjmë me njerëzit që ndodhen në këtë anije turistike? Si të parandalojmë çdo transmetim të mëtejshëm, ku duhet të shkojnë dhe si duhet të kujdesemi për ta. Pra, është një situatë relativisht e ndërlikuar. Por mendoj se hapi i parë është të kuptohet nëse kemi të bëjmë me transmetim të drejtpërdrejtë nga njeriu tek njeriu. Kjo do të bëhet më e qartë kur të kemi konfirmimet laboratorike. Deri tani nuk kam parë konfirmim që bëhet fjalë për virusin Andes, që është i vetmi hantavirus që dimë se mund të përhapet mes njerëzve. Unë pres që mund të jetë ky rast, pasi është virusi më i përhapur në Argjentinë dhe do të kishte kuptim në këtë situatë. Gjithashtu, një tjetër hap që duhet ndërmarrë në atë anije është të sillen specialistë të gjitarëve – ekspertë të brejtësve – për të parë nëse ka prani të tyre në bord.”

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar një rast të provuar dhe disa të dyshuara, ndërsa hetimet vazhdojnë. Po analizohen mostrat, po gjurmohet zinxhiri i infeksionit dhe po koordinohen evakuimet mjekësore.

Një tjetër problem i madh: nuk ekziston një trajtim specifik për hantavirusin. Mjekët mund të trajtojnë vetëm simptomat, shpesh në terapi intensive, me oksigjen apo ventilim mekanik.

Dhe kjo është një sfidë e madhe për një anije në mes të oqeanit.

Daniel Bausch: “Nuk kemi një ilaç specifik antiviral që të themi: nëse ke këtë virus, ky medikament e shkatërron atë. Trajtimi konsiston kryesisht në mbështetjen e pacientit për ta kaluar këtë fazë. Kjo zakonisht bëhet në qendra mjekësore shumë të avancuara dhe shpesh kërkon trajtim në terapi intensive. Nuk është një lloj trajtimi që zakonisht mund të ofrohet në një anije turistike.”

Dy anëtarë të ekuipazhit kanë shfaqur gjithashtu simptoma respiratore, ndërsa njëra prej tyre është në gjendje më të rëndë.

Ndërkohë, autoritetet po shqyrtojnë edhe një tjetër mundësi: praninë e brejtësve në bord – burimi më i zakonshëm i virusit.

Në këtë situatë të pasigurt, situata më e vështirë mbetet për pasagjerët. Ata janë të izoluar, larg familjeve, në pritje të përgjigjeve.

Travel vlogger: “Ne nuk jemi thjesht lajm. Jemi njerëz. Gjithçka duam është të ndihemi të sigurt dhe të kthehemi në shtëpi.”

Një shpërthim i rrallë, një virus i panjohur për shumëkënd dhe një anije në mes të oqeanit – janë elementët e një krize që po ndiqet me vëmendje nga autoritetet ndërkombëtare.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, një gjë është e qartë: edhe në një botë të mësuar me pandemitë, surprizat nga viruset nuk kanë përfunduar.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos