Fjala e fundit në Teheran, SHBA-Iran pranë ujdisë, Trump: Pranoni ose sulmojmë rëndë

Nga Xhevahir Qardaku
6 Maj 2026, 18:01 | Bota

“Nëse Irani pranon marrëveshjen, përfundon gjithçka”. Kështu njofton presidenti amerikan, Donald Trump, përmes Truth Social, duke saktësuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për të gjitha anijet, përfshirë ato iraniane, nëse Teherani pranon kushtet që janë aktualisht në diskutim me Uashingtonin.

“Duke supozuar se Irani pranon të japë atë që është rënë dakord, që ndoshta është një supozim i madh, operacioni ‘Furia Epike’ tashmë legjendar do të marrë fund dhe bllokada shumë efektive do të lejojë që Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur për të gjithë, përfshirë Iranin. Nëse ata nuk bien dakord, bombardimet fillojnë dhe, fatkeqësisht, do të jenë në një nivel dhe intensitet shumë më të lartë se më parë.”

Paralajmërimi vjen pasi Trump pezulloi “Projektin e Lirisë” në Ngushticën e Hormuzi, për shoqërimin e anijeve të bllokuara. Mediat shtetërore iraniane e cilësuan këtë veprim si një fitore, duke thënë se Trump është “tërhequr” dhe e akuzojnë presidentin se po përpiqet të “mbulojë dështimin” e operacionit të tij.

“Kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit është i mundur sipas “procedurave të reja” pas ndërprerjes së një operacioni jetëshkurtër ushtarak amerikan në kanalin ujor, tha të mërkurën Marina e Gardës Revolucionare, sipas mediave iraniane. Ndërkohë, Irani po shqyrton memorandumin e mirëkuptimit prej 14 pikash të propozuar nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme për CNBC.

Më herët, media Axios raportoi se “Shtëpia e Bardhë beson se është afër arritjes së një marrëveshjeje me Iranin mbi një memorandum mirëkuptimi njëfaqësh për t'i dhënë fund luftës dhe për të krijuar një kornizë për negociata më të detajuara bërthamore”.

SHBA-të presin përgjigje nga Teherani për disa pika kyçe brenda 48 orëve të ardhshme. Marrëveshja do të përfshijë angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, marrëveshjen e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet dhe për të liruar miliarda dollarë fonde të ngrira iraniane, si dhe heqjen nga të dyja palët të kufizimeve mbi tranzitin përmes Ngushticës së Hormuzit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos