
Një incident i rëndë tronditi qendrën e Stokholmit të premten pasdite, kur një autobus u përplas me stacionin e autobusëve pranë Universitetit të Teknologjisë në lagjen Östermalm. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:24, gjatë orarit të pikut të trafikut, duke shkaktuar kaos dhe panik në zonë.
Sipas gazetës suedeze Aftonbladet, disa persona mbetën të plagosur, ndërsa më vonë policia konfirmoi se ka edhe viktima. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende shifra të sakta për numrin e të vdekurve apo të plagosurve.
Policia suedeze njoftoi se rasti po hetohet si vrasje nga pakujdesia, ndërsa shoferi i autobusit është arrestuar për t’u marrë në pyetje. “Jemi duke zbuluar rrethanat dhe çfarë ka ndodhur”, deklaroi zëdhënësja e policisë, Nadya Norton.
Oscar Davila, menaxher i operacioneve së shërbimit të shpëtimit të Stokholmit, konfirmoi se disa persona janë plagosur, me disa prej tyre në gjendje të rëndë. Nga ana tjetër, zyrtarja për shtyp e rajonit të Stokholmit, Michelle Marcher, bëri të ditur se pesë persona janë plagosur, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar menjëherë në spital.
Një dëshmitare që banon pranë vendngjarjes tregoi se dëgjoi disa krisma para se të shihte tym dhe shpërthim të vogël në vendin e aksidentit. “Ishte e frikshme. U dëgjuan disa krisma njëra pas tjetrës, jo vetëm një”, tha ajo për mediat lokale.
Incidenti ka prekur disa linja autobusësh ndërsa autoritetet njoftuan mbylljen e një pjese të rrugës shumë të frekuentuar Valhallavägen, duke shkaktuar radhë të gjata.
Zëdhënësja e Transportit të Stokholmit, Sophie Gunnarsson, konfirmoi se autobusi i aksidentuar i përkiste linjës Norrtälje dhe se incidenti trajtohet si tepër serioz. Ndërkohë, zona e stacionit Östra mbetet e bllokuar, ndërsa policia dhe ekipet e shpëtimit vazhdojnë hetimet dhe punojnë për normalizimin e situatës. (A2 Televizion)
